Daja: Gabimet copy-paste në çdo ndeshje, lojtarët vuajnë presionin
Trajneri Ilir Daja u shfaq i pakënaqur me atë që bënë lojtarët e tij në barazimin 1-1 ndaj Dinamos. Të Kuqtë luajtën për 45 minuta me një lojtar më tepër, ndërkohë trajneri evidentoi faktin që po sheh të njëjtat gabime të futbollistëve të tij, nga ndeshja në ndeshje.
“Gabimet janë pothuajse copy-paste në çdo ndeshje. Nëse do ta mbanim portën të paprekur në ndeshjet e zhvilluar nuk do të kishim marrë 4 barazime. Kemi përdorur në këto 4 ndeshje të gjithë kontingjentin që kemi. Kemi marrë informacion për çdo lojtar.
E keqja është që ky informacion merret në ndeshje zyrtare. Ndryshuam edhe vendosje, për ti dhënë qetësi mbrojtjes, por edhe sot u gabua pa asnjë presioni. Duhet të vepronim më mirë në mënyrën e dinamikës së aksionit. Në momentin që nuk pësojmë gol do ta kemi më të lehtë për të shkuar te fitorja.
Doza e presionit psikologjik për rezultatet ndihet. Kemi 3 lojtarë, Cara, 21 vjeç, Rrapaj 20 vjeç dhe Marku 20 vjeç, janë 3 lojtarë të rinj që mund të japin më shumë për ekipin. Cara ka humbur raste, por mos harrojmë që ka penetruar në zonë dhe në këto javë ka marrë 3 penallti. Edhe Mala dhe Kaçe kishin tjetër kondicion tjetër.
Besoj që në vijim mund të ulet doza e gabimeve, për të ulur presionin e rezultateve. Nëse në të gjitha ndeshjet nuk do të kishim pësuar golat që i dhurojmë vetë, do ta kishim më të lehtë për të shkuar te fitorja”, u shpreh Daja.