Daja: Kemi një ekip që sakrifikon shumë, më duhet edhe një golashënues

Partizani sot mori një fitore të thjeshtë 3-0 në Fier kundër Apolonisë, duke vijuar ecurinë pozitive në këtë fillimin sezoni. Trajneri Ilir Daja është shfaqur shumë i kënaqur me skuadrën, ndërkohë që ka shprehur dëshirën që drejtuesit t’i afrojnë edhe një golashënues

“Kemi luajtur 3 nga 4 ndeshjet e para në kampionat, në transfertë, ndaj na vjen mirë që jemi treguar të konsoliduar në fazën mbrojtëse. Megjithatë duhet të theksoj se fakti që nuk pësojmë shpjegohet me angazhimin dhe sakrificën e të gjithëve në fazën mbrojtëse. Sot kemi vuajtur pak në fillim, por pas minutës së 25-të kemi bërë mirë dhe kemi krijuar shumë raste shënimi. Jam i kënaqur, pasi skuadra vijon të rritet dhe të konsolidohet nga ndeshja në ndeshje.

Shpërndarja e golave ka anën e vet të mirë, pasi jemi të gjithë pjesëmarrës në përfundimin e aksionit. Lukasi po e bën shumë mirë sulmuesin, megjithëse është si 9 fals. Do të doja të kishim një lojtar golashënues, pasi goli i jep një qetësi ekipit.

Objektivat e Partizanit, përtej merkatos janë gjithmonë maksimale. Presionin e kemi vetë sepse jemi pjesë e një klubi me objektiva maksimale. Ua dedikova fitoren lojtarëve, sepse sakrifikojnë jashtë mase, edhe pse akoma kemi probleme në fazën e mbrojtjes dhe të sulmit.

Me dëmtimin e Brojës, kishim më pak zgjedhje për qendrën e mesit të fushës. Kote është ndeshja e dytë që bën performancë të mire, ndërsa Bardhi do kohën e vet, pasi roli natyral është sulmues i pastër. Jam i kënaqur nga Mala”, deklaroi Daja.

SHKARKO APP