Daja pas humbjes së parë: Golin e parë ja dhuruam rivalëve, duhet të jemi më cinik!

Ilir Daja debutoi me humbje te skuadra e Partizanit, teksa Kastrioti i dha goditjen e parë. Trajneri i njohur në venin tonë theksoi se një nga golat ishte i dhuruar, ndërkohë që sipas tij pamundësitë për të ndërhyrë në merkato kanë ndikuar në këtë rendiment të dobët.

“E kemi filluar pjesën e parë jo mirë. Kemi pasur ngarkesë dhe probleme me ndërtimin e aksioneve. Kemi pësuar një gol që pothuajse ja kemi dhuruar vetë për shkak të pasimit gabim në mesfushë. Bëmë mirë në pjesën e dytë, barazuam. Në momentin tonë më të mirë, ku ndërhymë për të përforcuar edhe sulmin, morëm një gol. Na vjen keq, duhet të jemi më cinik në këtë start kampionati.

Si strategji e kishim për të ndërhyrë në merkato dhe i kishim gati lojtarët. Ajo nuk është në dorën time personale. E gjeta me merkato të mbyllur. Do të vazhdojmë me këta që kemi. Mangësia qëndron te numri i lojtarëve mbrojtës.

Jam i kënaqur që lojtarët me eksperiencë reaguan. Isha i kënaqur me reagimin, nga një pjesë e parë jo e mirë, te një pjesë e parë e dominuar. Për një ekip si Partizanin, kjo nuk është mjaftueshëm. Lojtarët më cilësorë sot ishin në fushë. Kemi mundësinë që në pjesën sipër edhe mund të ndërhyjmë, po do të shikojmë strategjinë që do të ndjekim ndaj Kukësit”, u shpreh Daja pas ndeshjes.

SHKARKO APP