Daja: Po përgatitem për sezonin e ardhshëm, presim përgjigje nga Zvicra!

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka folur para ndeshjes me Luftëtarin për të ardhmen e tij në krye të stolit të “Ujqërve”. Ai ka konfirmuar se mendon vetëm për ekipin e tij dhe e ka mendjen vetëm te kalimi në Europë.

“Nuk jemi dorëzuar për Europën, janë tre javë kampionat. Duke i marrë ndeshjet një e nga një, mund të jemi në pozicionet që të çojnë në kupat e Europës. Fundi i sezonit gjithmonë është problematik, sidomos këtë herë që është një vit i veçantë. Fillimisht i ishte tërmeti, pastaj pandemia që na la pa stërvitje. Këto problem shprehen edhe nga ekipet. Aspekti psikologjik ka ndikuar tek ne dhe te të gjitha ekipet.

Vendimi nga Gjykata? Zgjedhja është Skënderbeu, presim një përgjigje nga Gjykata Federale e Zvicrës. Normalisht do ishte një lajm i mirë, pasi Skënderbeu ka qenë lokomotiva e futbollit shqiptar në Europë, duke vendosur standarde sportive dhe financiare. Rikthimi i atij Skënderbeu të madh do të thotë shumë edhe për futbollin shqiptar, jo vetëm për atë korçar.

Luftëtari? Ndeshja e radhës, kundër Luftëtarit, merr vlerësimin maksimal: E kam ndjekur Luftëtarin në këto tre javë të fundit. Po përgatiten për sezonin e ardhshëm. Kanë djem të rinj dhe të talentuar. Duhet të jenë në qendër të vëmendjes nga mbrojtja jonë. U mungon eksperienca, pasi cilësitë i kanë. Duhet t’i vlerësojmë maksimalisht, që të marrim tre pikë të tjera pas fitores me Vllazninë. Skuadra jonë duhet të tregojë kujdes”, deklaroi Daja.

SHKARKO APP