Daja: Po rritemi ndeshje pas ndeshje, ndaj Apolonisë synojmë 3 pikët!
Partizani kërkon fitoren e dytë në kampionat, pasi nesër do të udhëtojë drejt Fierit për t’u përballur me Apoloninë në “Loni Papuçiu”. Trajneri i “të kuqve”, Ilir Daja doli në konferencën e zakonshme për shtyp, ku vlerësoi fierakët, por sipas tij skuadra duhet të kthehet me 3 pikë.
Si e keni përgatitur ndeshjen ndaj Apolonisë?
Si çdo sfidë, edhe kjo ndaj Apolonisë, pasi e kemi thënë që nuk ka më ekipe të lehta në Superiore. Ata kanë një skuadër me djem të rinj, shumë të motivuar dhe në këtë pikëpamje, ashtu duhet të jemi edhe ne, pasi do të kërkojmë marrjen e 3 pikëve.
Jeni i kënaqur me atë që po jep ekipi?
Po rritemi nga ndeshja në ndeshje dhe jam shumë i kënaqur me punën që po bëjnë djemtë dhe seriozitetin që po tregojnë. Mbetet për t’u zgjidhur çështja e vazhdimësisë, pasi nuk kemi eksperiencën e duhur, por kemi ende punë për të bërë.
Si është gjendja e skuadrës? A është rikuperuar Broja?
Nuk duhet të fokusohemi te mungesat, pasi me këtë kalendar të ngjeshur, të gjithë do t’i kenë këto probleme. E rëndësishme është që kushdo të zbresë në fushë, do të bëjë maksimumin. Broja nuk është stërvitur me skuadrën këto ditë dhe nëse nuk do të jetë në maksimum, nuk do ta sakrifikoj.
E keni studiuar kundërshtarin?
E kam ndjekur Apoloninë në ndeshjet e fundit dhe kanë ndryshuar edhe skemë. Për më tepër, luajnë në fushën e tyre dhe do të jenë shumë agresivë.
Deri ku mund të shkojë Partizani këtë sezon?
Rivali ynë i vetëm është Apolonia, pasi duam t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të mendojmë vetëm për kundërshtarin e radhës.
Sa e vështirë është të punosh kur ka një kalendar kaq intensiv?
Është e vështirë, pasi edhe dje u stërvitëm 90 minuta, por u ndalëm më shumë te puna në finalizimin e aksioneve. Ka shumë ngarkesë për shkak të kalendarit, ndaj nuk mund t’i ngarkosh futbollistët edhe në stërvitje. Gjithsesi besoj te motivimi i djemve dhe me kalimin e kohës, do të arrijmë të konsolidohemi edhe më shumë.