Daja: Vazhdojmë kështu, me Kukësin dua një tjetër “fytyrë” në lojë

Skënderbeu po kalon një moment fantastik në kampionat, teksa ditën e djeshme koleksionoi fitoren e tretë radhazi. Skuadra korçare mundi 2-0 Luftëtarin, duke arritur në vendin e 6-të me pikë të njëjta me Partizanin, 38.  Ilir Daja në prononcimin për mediat është shprehur se për momentin ekipi i tij është në formë shumë të mirë.

“Jemi mirë në gjysmën e dytë të këtij kampionati, sepse kemi marrë një seri rezultatesh pozitive. Kjo është edhe kryesorja. Kemi bërë edhe lojëra goxha të mira dhe mendoj se tani që kemi të gjithë kontigjentin në dispozicion do vazhdojmë kështu siç e kemi nisur këtë gjysmën e dytë të sezonit”.

Strategu i njohur nuk ngurroi që të lëshonte një mesazh edhe për Kukësin që do të jetë rivali i radhës në kampionat, ditën e hënë.

“Me Kukësin kemi një ndeshje të vështirë sepse dihet që ka një ekip goxha të mirë. Deri pak javësh ka qenë në krye të tabelës së klasifikimit. Ajo që duhet të kemi parasysh është se Kukësi ka edhe sulmues të rrezikshëm pasi nëse i lë hapësira mund të dëmtojnë. Por mendoj se do të jetë një tablo tjetër për sa i përket lojës tonë pasi mund të bëjmë edhe ndonjë rotacion për të freskuar ekipin në gjendjen fizike”.

Skënderbeu edhe nëse arrin në zonën europiane nuk mund të marrë pjesë për shkak të dënimit 10-vjeçar nga UEFA. Skuadra korçare shpreson për lajme pozitive nga Lozana për të rikthyer ekipin në nivelet e para disa viteve, ku shkoi deri në fazën e grupeve në Europa League.

SHKARKO APP