Daja zbulon dy afrimet e reja te Partizani dhe paralajmëron dy largime

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja doli sot në konferencën për shtyp për të folur rreth zhbllokimit të merkatos nga CAS-i, përforcimet e fundit, tratativat dhe ndeshjen e radhës kundër Apolonisë.

“Nuk është se nuk e kemi pasur presionin nën vete, edhe në ekipe të tjera që kanë patur problematike më të mëdha se bllokimi i merkatos. Nuk ka qenë pjesë e justifikimit, nuk jam nga ata trajnerë që justifikohen. Kërkoj të marr maksimumin gjatë gjithë kohës me ata lojtarë që kam në dispozicion. Hapja e merkatos është një lajm i mirë. Do ketë ngjeshje, terrenet rëndohen, shpresoj të kemi dëmtime sa më të pakta. Do kërkojmë që, të paktën, të dublojmë rolet me lojtarë që të jenë të përshtatshëm për Partizanin. Deri në këtë moment kemi dy lojtarë të afruar zyrtarisht te Partizani, një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues i pastër. Kemi 4 mbrojtës, por do e gjejmë mundësinë të përforcojmë këtë repart. Nuk duam të nxitohemi dhe të bëjmë gabime që do na kushtojnë në të ardhmen, në kosto dhe në cilësi.

Largimet? Nuk mundet vetëm të shpenzojmë pa fund dhe të mos kemi merkato në dalje. Kur bëhet fjalë për emra si Solomon dhe Asani, duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Vetëm nëse klubi merr një bonus financiar dhe lojtari, paralelisht, shkon në një kampionat ku mund të zhvillohet vetë në mënyrë individuale, atëherë do të bëhet e mundur të kemi merkato në dalje.

Afrimet? Ne jemi të fokusuar te prurjet në repartin e mbrojtjes, që duhet të jenë të mirë studiuara, në mënyrë që marshi i gabimit të jetë sa më i ulët dhe i vogël që të jetë i mundur. Deri tani janë afruar Stenio Junior dhe Valentino Murataj. Për emrat që janë në bisedime me klubin, nuk mund t’i përmend. Çdo gjë bëhet zyrtare kur vendoset firma në kontratë. Janë disa pista, po kontaktohet me lojtarë të ndryshëm.

Ndeshja? E kemi studiuar Apoloninë, duke parë cilësitë individuale të lojtarëve. Sa i përket manovrës, do e marrim si informacion direkt gjatë ndeshjes. Çdo staf i ri që vjen kërkon të instalojë mendësinë e vet taktike. Na ngelet të lexojmë nesër se çfarë bën kundërshtari në të dy fazat e lojës. Nëse do të bënim këtë gjë, pra nëse mendojmë se është lehtësim sfida me Apoloninë, do të gabonim. Është i njëjti ekip Apolonia, por me një staf të ndryshuar. Nuk ka shumë diferenca në kampionatin shqiptar, çdo ndeshje që duhet të fitohet, duhet të shkohet drejt sakrificës dhe motivimi duhet të jetë shumë i madh”, deklaroi Daja.

SHKARKO APP