Daku i lumtur për dopietën me Rubin Kazan: Kur shënon dy gola, e fiton duelin me mbrojtjen!
Mirlind Daku ishte heroi i Rubin Kazan në fitoren 2-1 ndaj Sochit, duke realizuar të dy golat për skuadrën e tij dhe duke konfirmuar formën e shkëlqyer në këtë fillim sezoni. Pas përfundimit të takimit, sulmuesi i kombëtares shqiptare komentoi sfidën dhe ndau emocionet e tij.
“E nisëm mirë ndeshjen, por Sochi u rrit me kalimin e minutave. Në pushim folëm qartë: nuk mund të humbnim përqendrimin dhe na duhej një tjetër gol. Edhe pse ata ngushtuan rezultatin, luftuam deri në fund dhe arritëm fitoren”, u shpreh Daku.
I pyetur për përballjen me mbrojtjen e kundërshtarit, Daku nuk nguroi të japë përgjigjen e tij me qetësi, por edhe vendosmëri: “Kur një sulmues shënon dy gola, atëherë po, ai e fiton duelin me mbrojtjen. Nuk ishte e lehtë, ata luajtën mirë, por në fund isha unë që dola fitues.”
Daku me këtë dopietë shkon në 3 gola në kampionat, duke konfirmuar se është një nga armët më të forta të Rubin Kazanit për sezonin aktual.

KOHA JONË SONDAZH

