Dalin dokumentet, Barcelona ka paguar për të prishur imazhin e Messit
Komplikohet edhe më shumë çështja e denoncuar nga Cadena Ser, ku akuzon Barcelonën se ka paguar 1 milion euro te një kompani private për të diskredituar disa lojtarë në rrjetet sociale. Shifra është transferuar nëpërmjet 6 pagesave më të ulëta se kufiri prej 200 mijë eurosh (shifra për të cilat nuk ka nevojë për autorizimin e juntës drejtuese), për të krijuar dhe menaxhuar llogari në rrjetet sociale, për të diskredituar dhe hedhur baltë mbi disa persona, mes të cilëve Messi dhe bashkëshortja e tij Antonella, Pique, Xavi, Guardiola, presidentin e Mediapro Roures dhe ish-presidentin katalan Puidgemont.
Barcelona u mbrojt me një komunikatë, në të cilën këmbëngulte se ka një bashkëpunim me I3 Ventures, por vetëm për të monitoruar fluksin e mesazheve në rrjetet sociale, që kishin të bënin me klubin, duke shtuar se I3 Ventures nuk kishte asnjë lidhje me profilet në rrjetet sociale të denoncuara nga Radioja Cadena Ser.
Por gjatë natës, mes së hënës dhe së martës, radioja publikoi një dosje me 36 faqe, në të cilat konfirmohet menaxhimi i llogarive në rrjetet sociale, për të cilat bëhet fjalë, nga ana e kompanisë I3 Ventures. Pak më vonë, dy nga sajtet e kompanisë I3 Ventures, të lidhura me skandalin, u mbyllën menjëherë.
Në pritje të një përgjigjeje të re nga ana e klubit, polemikat po shtohen. Roures, presidenti i MediaPro, demonstroi publikisht faktin se ndihej keq për sa ka dalë në dritë dhe shqetësimin për përdorimin e papërshtatshëm të të ardhurave të klubit, që mbeten në pronësi të ortakëve.
Leo ende nuk është prononcuar, por ky skandal komplikon edhe më tepër raportet tanimë të tensionuara, ndërkohë që në sfond mbetet fakti që në qershor Messi mund të largohet me parametër zero, pavarësisht se ka një kontratë deri në vitin 2021.