David Luiz rrëfen tmerrin pas humbjes 7-1 kundër Gjermanisë: Shumë lojtarë u fshehën për 6 muaj!
Në gjysmëfinalet e Kupës së Botës në vitin 2014, Brazili pësoi një humbje të turpshme 7-1 kundër Gjermanisë. Ishte një disfatë që do të mbetet gjatë në memorien e të gjithëve, por veçanërisht në atë të David Luiz, që e cilësoi veten si fajtor pas asaj ndeshje.
Duke folur për mikrofonët e “Globo Esporte”, mbrojtësi i Arsenalit, ka ripërshkuar atë ndeshje, momentet e përjetuara në fushë e ato pas përfundimit të turneut.
“Për gjashtë muaj, shumë nga ne lojtarët u fshehën. Disa nuk donin të merrnin përsipër përgjegjësitë e as t’i ndanin me të tjerët. Për shumë kohë mu desh të duroja peshën e asaj humbje i vetëm. Nuk ishim gati ose të mësuar të humbnim. Aq më pak të pësonim një, dy ose tre gola e të nervozoheshim.
Futesh në ndeshje e mendon të fitosh. Je Brazili e duhet të futesh gjithnjë në fushë për të fituar. Por papritur pëson një gol, pastaj të dytin e të tretin. Gjithçka shkon keq e vazhdon të shkojë edhe më keq”, deklaroi David Luiz. Humbja 7-1 ishte më e rënda për Brazilin që nga viti 1920. /Koha Jone/