De Biasi për Repubblica: Himni shqiptar më mahnit

Trajneri Gianni De Biassi ka dhënë një intervistë për gazetën italiane La Repubblica. Ai foli për eksperiencën e tij tanimë si një shqiptar i vërtetë që këndon dhe himnin, për rrugëtimin e ekipit në këtë fazë grupesh si dhe për ankthin që kanë në këto ditë pritjeje për të marrë vesh nëse do të kualifikohen apo jo.

Ju tani jeni shqiptar 100% madje këndoni edhe Himnin e Shqiperise me një pasion të pabesueshëm…

Më mahnit. Fjalët i ka pak të vështira, i njoh kuptimin, por shqiptimi është i komplikuar. Për fat të mirë, kur kendohet himni ne stadium kane vendosur edhe karaoke. Ky është një popull i jashtëzakonshëm, ka njohur diktatura dhe vuajtje, gjejmë tifozë shqiptarë ngado që shkojmë, një pasion të jashtëzakonshëm.

Më shumë emocione apo krenari?

Të dyja. Por kemi edhe nje peng te vetem: të kishim bërë të paktën edhe një pikë në dy ndeshjet e para, tani nuk do të duhej të vuanim në pritje, për të kuptuar nëse do të qëndronim në turne.

Nuk jeni akoma i kënaqur?

Nuk e kuptoj pse duhet të jemi? Kundër Zvicrës dhe Francës treguam se kombëtare të cilat në teori ishin shumë më të forta se ne, na kanë mundur vetëm falë detajeve. Kundër Francës, atë gol të Griezman nuk e kuptoj ende se si erdhi, nga doli. Dhe kundër Rumanisë kemi treguar se jemi një skuadër, një grup burrash: mund të dorëzoheshim psikologjikisht pas dy humbjeve, por ndeshja u interpretua në perfeksion.

Gjithçka duke lënë në stol kapitenin Cana

Ishte një vendim i vështirë. Ia thashe kete vetem pak orë para ndeshjes. Por ai u tregua ashtu si nje kapiten duhet, u vu menjëherë në dispozicion të shokëve të skuadrës, i ka nxitur dhe mbështetur, kishte një sjellje si një njeri i madh dhe një kapiten i madh. Por në përgjithësi ishte shumë e bukur të shihje këto djem të ruanin dëshirën për të lënë mbresa në Europian dhe t’ia dilnin mbanë. Jemi rritur, jemi ata që dëshiroja të ishim. Jemi të gatshëm për të ecur përpara.

Çfarë do të bëni këto ditë?

Do të stërvitemi, me idenë për të hyrë në fushë për fazën tjetër të premten apo të shtunën. Duke bërë një tifozeri të çmendur para televizorit edhe për Italinë: sa mirë sikur të na bënte një dhuratë të bukur duke mundur Irlandën, do të bëj tifo si i çmendur dhe duke njohur Konten jam i sigurt se do të japin maksimumin. Por nëse nuk do t’ia dalim mbanë, do të përgatitemi për shtatorin: kualifikueset e Botërorit, jemi në grupin e Italisë dhe do ta vëmë në vështirësi, keni për ta parë.

SHKARKO APP