De Biasi për rikthimin në stol: Do të kafshoj dikë shpejt ose vonë!
Ish-trajneri i Shqipërisë, Gianni de Biasi, nuk ka mundur që të gjejë vazhdimësinë pasi la Shqipërinë. Aventura te Deportivo Alaves u mbyll shumë shpejt për të. Ai është pa skuadër që prej 27 nëntorit të 2017, një kohë shumë e gjatë që mbetet jashtë futbollit.
De Biasi e ka pranuar se po e vuan shumë këtë periudhë që nuk është aktiv në futboll. Ai dha një intervistë për “TorinoGranata.it” ku u pyet për një sërë çështjesh. Nuk mund të mungonte pyetje në lidhje me një interesim të mundshëm nga Torino pas largimit të Mazarrit.
“Jam kontaktuar vetëm nga gazetat”, tregon sinqerisht ish-trajneri i Shqipërisë. I ngacmuar nga gazetari se kur do të rikthehej në fushë, De Biasi u përgjigj: “Shpresoj që të rikthehem sa më shpejt në futbollin aktiv, sepse do të kafshoj dikë shpejt ose vonë, kështu që më mirë dua të kafshoj metaforikisht kundërshtarin”, deklaroi italiani.