De Biasi: Zhvilluam një lojë të mirë për tifozët dhe Shqipërinë
Pas përfundimit të ndeshjes Shqipëri-Maqedoni e cila u mbyll me rezultatin 2-1, dy trajnerët, ai i Kombëtares Shqiptare, Gianni De Biasi dhe trajneri i ekipit të Maqedonisë, Igor Angelovski, kanë mbajtur një konferencë për mediat.
De Biasi u shpreh se ekipi që ai drejton ka bërë një lojë të mirë për vete në radhë të parë, por edhe për tifozët e Shqipërisë. “Skuadra e Maqedonisë është një skuadër e fortë dhe këtë e pamë dhe sot. Por ne bëmë një lojë të mirë për vete, për tifozët dhe për Shqipërinë. Ndeshjet tona më të vështira do të jenë kundër Maqedonisë, Izraelit dhe Lihtenshtajnit pasi me Spanjën dhe Italinë do të luajmë mirë. Futbolli është i çuditshëm dhe i paparashikueshëm. Ditën e djeshme askush nuk mund të priste të barazonte Maqedonia, por ne jemi ekip i mirë dhe nuk na lejohen gabime të tilla”, ka theksuar De Biasi.
Igor Angelovski, trajneri i ekipit të Maqedonisë u shpreh se nuk janë të kënaqur nga rezultati pasi pësuam gol në minutën e fundit.
“Ishte një ndeshje që u luajt në dy ditë. Nuk jam i kënaqur nga rezultati pasi pësuam gol në minutën e fundit, por patëm edhe një shans më vonë të cilin portieri Berisha e mbrojti. Gabimet individuale që bëmë në fund të ndeshjes nuk lejohen në këtë nivel loje. Mendoj që ishim të barabartë dhe i bëmë ballë kombëtares së Shqipërisë”, deklaroi Angelovski.
Pyetjes nëse është i kënaqur me gjykimin e djeshëm dhe të ditës së sotme trajneri i Maqedonisë i’u përgjigj se nuk komenton asnjëherë referimet pa parë asnjë pamje. Trajneri i Maqedonisë ka theksuar se ishte i kënaqur me lojën e futbollistëve të tij sidomos në pjesën e dytë të lojës gjatë ditës së djeshme dhe atë të sotmen deri në pësimin e golit.
Ndërsa pyetjes për ndikimin e shtyrjes së ndeshjes, trajneri maqedonas i është përgjigjur se ndikoi shumë kjo ndërprerje pasi sipas tij pas shënimit të golit Maqedonia ishte më e motivuar dhe mund të kishte fituar.
Pjesa e mbetur nga ndeshja Shqipëri-Maqedoni e vlefshme për eleminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018” pasi u ndërpre mbrëmë në minutën e 75-të, për shkak të kushteve të këqija të motit, është zhvilluar sot në qytetin e Shkodrës.
Ndeshja në fjalë përfundoi me rezultatin e 2:1 në favor të Shqipërisë duke u llogaritur edhe rezultati barazim që ishte mbrëmë në momentet e ndërprerjes së ndeshjes. Me këtë rezultat Shqipëria ka marrë tre pikët e para në eleminitaroret e “Botërorit 2018” si pjesë e grupit G.
KOHA JONË SONDAZH

