De Bruyne mbërrin në Itali, në orët e ardhshme firmos me Napolin
Pritjes i vjen fundit: Kevin De Bruyne është gati të bëhet zyrtarisht lojtar i Napolit. Mesfushori belg ka mbërritur mëngjesin e sotëm në aeroportin e Fiumicinos, i shoqëruar nga agjentët dhe përfaqësuesit ligjorë, për të përfunduar procedurat mjekësore në klinikën “Villa Stuart”. Pas kontrolleve, pritet që ai të hedhë firmën mbi kontratën që do ta lidhë me klubin napolitan për dy sezone, me opsion për një të tretë.
De Bruyne, i cili më 28 qershor do të mbushë 34 vjeç, ka zgjedhur Napolin si destinacionin e ri për kapitullin e fundit të karrierës së tij të lavdishme. Vendimi për të pranuar projektin ambicioz të Aurelio De Laurentiis dhe trajnerit Antonio Conte shënon një kthesë të madhe në merkato, dhe një mundësi për mesfushorin belg të rigjejë frymëzimin në një mjedis të ri konkurrues.
Me 22 trofe të fituar gjatë karrierës, përfshirë suksese të mëdha me Manchester City, De Bruyne mbërrin në Serie A për të sjellë eksperiencë, klas dhe vizion loje në një Napoli që synon të rikthehet në majat e futbollit italian dhe evropian.
KOHA JONË SONDAZH

