Dede flet për largimin e mundshëm të Muçit: Komandën e japin financat!

Nevil Dede shijoi fitoren e parë në pankinë ne Tiranës 0-1 në transfertën ndaj Laçit, ndërsa sot doli në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes ndaj Apolonisë.

Tekniku bardheblu foli edhe për rritjen e vazhdueshme të sulmuesit të talentuar Ernest Muçi si dhe mundësinë që ai të largohet nga bardhblutë pas ofertës prej 400 mijë euro të Rapidit të Vjenës.

A është fitorja në Laç një shtysë më shumë për të tentuar suksesin edhe ndaj Apolonisë?

E rëndësishme është që djemtë e ndjenë veten më mirë dhe arritën të marrin tri pikë ndaj Laçit. Ishte ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari shumë të fortë. Gjithçka duhet të pasohet nga një ecuri pozitive në mënyrë që të ketë rëndësi triumfi në Laç.

A priten ndryshime në formacion për shkak të kalendarit të ngjeshur?

Një ekip duhet të ketë bosht të caktuar, ku disa lojtarë mbajnë ngarkesë më shumë. Megjithatë, edhe rotacioni duhet të ekzistojë për shkak të ngjeshjes së madhe të ndeshjeve. Ne do mundohemi të bëjmë më të mirën, por e rëndësishme është të kem sa më shumë zgjedhje.

A është Tirana në gjendje të mbrojë titullin kampion?

Besoj se në mesin e fazës së dytë do të kuptohet se ku është secili ekip. Të gjithë po e vuajmë këtë periudhë të ngjeshjes së ndeshjeve. Të gjithë mendojnë të ruajnë energji dhe lojtarët sepse ngarkesa sa vjen dhe rritet.

Muçi është “xhevahiri” i Tiranës, por ju shqetëson fakti që mund ta humbni që në janar?

Muçi po rritet nga dita-ditës jo vetëm në kualitet, sepse atë e ka pasur gjithmonë. Është një futbollist me shumë perspektivë dhe shumë i talentuar, por po sakrifikon çdo ndeshje. E kemi parë ndeshjen me Laçin dhe sparkatat në ndeshjen me Partizanin. Po rritet dhe si njeri. Ai ka kuptuar se të bëhesh lojtar i madh duhet të punosh shumë, pasi detajet e vogla e bëjnë një futbollist të madh. Komandën e japin financat dhe në momentin që ato e kënaqin një klub, atëherë ato mendojnë se edhe një lojtar i talentuar mund të shitet. Mua më intereson që lojtarët të rriten dhe për Muçin jam i lumtur.

Do të donit të kishit edhe Ferhan Hasanin e Michael Ngo’o në dispozicion për pjesën e mbetur të sezonit?

Çdo skuadër në botë dëshiron të përmirësohet, edhe klubet më të mira që kryesojnë. Unë dua të kem besimin e grupit, sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe nëse ndodh kështu, gjithçka shkon mirë. Emrat janë gjithmonë të mirëpritur, por më të mirët për mua janë ata që stërvit për momentin dhe besojnë tek unë.

SHKARKO APP