Dede: Jemi duke u përmirësuar, në janar mund të bëjmë përforcime!

Nevil Dede shijon fitoren e dytë radhazi në pankinën e Tiranës, këtë herë me rezultatin bindës 3-0 ndaj Apolonisë. Trajneri i bardhebluve në intervistën pas ndeshjen u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës.

“Ndoshta duhej të shënonim më shpejt, për të qenë më të qetë, pro gjithsesi nëse vazhdojmë të luajmë kështu, do të thotë që jemi në rrugën e duhur drejt rritjes dhe imponimit ndaj kundërshtarit. Apolonia nuk ishte ai kundërshtari shumë i fortë, por presioni për rezultatin bën të gabosh ndonjëherë.

Për mua të gjithë ata që luajnë përpara janë shumë të rëndësishëm, veçanërisht Muçi që meriton komplimente të veçanta. Në momentin që fitojmë, do të thotë që jemi në rrugë të mbarë, por natyrisht të gjithë ekipet në botë mendojnë për përforcime. Ne do të mendojmë për ndeshjen e radhës, pasi këtë javë do të jemi pushim dhe do të duhet të punojmë më mirë. Në janar mund të ketë afrime, por mua më intereson të flas vetëm për lojtarët që kam aktualisht në dispozicion. Mos harroni që kemi marrë shumë të rinj nga akademia, si Muçi, Ismailgeci dhe Celhaka, por edhe të tjerë që po integrohen gradualisht.

A ka më të fortë se Tirana? Në mesin e fazës së dytë, ose në fundin e saj, mund të krijojmë një ide më të plotë për kundërshtarët. Objektivat nuk i vë unë, por vetë emri i klubit dhe unë kam detyrimin vetëm të punoj e të përmirësoj ekipin. Dua të rritim ekuilibrin, të shmangim presionin e kundërshtarit dhe të shpresojmë të arrijmë objektivin final. Se sa do t’ia arrijmë, mbetet për t’u parë, por në përballjet direkte kemi marrë sinjale të mira.

Rikthimi i Cale dhe Celhakës? Cale ka filluar të stërvitet dhe në fund të janarit do të jetë në dispozicion. Momentalisht po stërvitet vetëm, por në janar pritet t’i bashkohet grupit, ndërsa për Celhakën nuk mund të them asgjë. Ai rrezikon operacionin, ndaj të shohim si do ecë dëmtimi i tij”, deklaroi Dede pas ndeshjes.

SHKARKO APP