Dede: Kemi pak alternativa, do më duhet 3 muaj kohë për të sjellë idetë e mia
Nevil Dede nuk arriti të marrë fitoren as në ndeshjen e dytë në pankinën e Tiranës, teksa në përfundim të ndeshjes me Bylisin, pranoi se skuadra po vuan shumë mungesat e disa prej titullarëve. Strategu evidentoi se do t’i duhet kohë që ekipi të asimilojë idetë e tij.
“Në aspektin e lojës, në pjesën e parë nuk u shprehëm si duhet, pavarësisht se kishim dy raste. Më pas skuadra ra në presion dhe kjo na solli këtu. Në pjesën e dytë ishim më ndryshe, ndërruam vendosje dhe ishim më potentë, megjithatë djemtë meritojnë komplimente. Nuk është e arsyeshme të them problemet që janë, por e rëndësishme është të na kthehen lojtarët. Doja të theksoja një fakt, doja të uroj publikisht Ilion Likën, pasi kishte prindërit sëmurë me Koronavirus dhe pavarësisht kësaj ka qenë gati për skuadrën.
Unë e mendoj projektin, të rikuperojmë sa më shpejt lojtarët, Tosevskin, Torasën, Kale etj. Mund të jemi më solidë dhe mund të imponohemi me futbollin tonë. Duhet të këmbëngulim, por duhet të ndryshojmë disa gjëra të tjera. Tirana ishte një skuadër me shumë eksperiencë, ishin lojtarë me karrierë të madhe dhe mund ta zgjidhnin ndeshjen. Pres nga skuadra ime që të kemi kaq raste, më shumë më shqetëson fakti që kemi probleme në mbrojtje me ekuilibrin dhe në disa raste tregohemi shumë keq.
Kemi pak alternativa dhje për këtë dua të jem i sinqertë. Në momentin që do të kthehen të gjithë lojtarët, do jenë të qarta edhe qëllimet tona. Duhet kohë, për gjithçka. Koha është e paktë, ndeshjet shumë të ngjeshura, numri i lojtarëve të pakët, sidomos ata me eksperiencë.
Minimalisht do më duhet një muaj këtu, maksimalisht 3 muaj. Fitorja është obligimi i Tiranës. Nuk është korrekte që të bëjmë krahasime me skuadrën e vitit të kaluar. Këtë skuadër nuk e krahasoj dot me atë të Egbosë. Të gjithë duan kohën e vetë dhe të përshtaten”, deklaroi Dede.