Dede kërkon fitoren e tretë radhazi: Skënderbeu meriton respekt!
Tirana është në kërkim të fitores së tretë radhazi pas dy sukseseve kundër Laçit dhe Apolonisë. Këtë të shtunë bardheblutë do të sfidojnë Skënderbeun në Korçë.
Në konferencën për shtyp përpara kësaj sfide, trajneri i kampionëve të Shqipërisë e cilësoi Skënderbeun një skuadër të denjë që duhet respektuar pavarësisht momentit jo që po kalon.
“Respektojmë kundërshtarin dhe historinë që ka, si dhe atë që bëjnë. Janë një ekip që po mundohen të bëjnë gjëra të mira. Shkojmë në një qytet që ka bërë histori, por shkojmë me objektiv maksimal. Uroj të shkojë gjithçka fair. Kam nostalgji për ata periudhë që kam punuar atje. Është garë dhe duam të fitojmë. Po mendojmë vetëm për ndeshjen me Skënderbeun.
Pa kaluar ajo ndeshje nuk mendojmë për të radhës. Normalisht është një periudhë me shume ndeshje. Rezultatet i japin besim ekipit. Me një klimë pozitive lojtarët japin më të mirën. Do mundohemi të jemi pozitivë. Ana psikologjike është e mirë, por duhet të mundohemi të shënojmë sa më shpejt edhe më shumë. Kemi elementë të rinj që duan qetësi dhe minuta.
Sa i takon Muçit, ai po rritet nga ndeshja në ndeshje. Shifrat i kemi të mira në aspektin e mbajtjes së topit, apo gjuajtjeve në portë. Nuk është e nevojshme të shënojnë vetëm sulmuesit. Po shënon edhe Batha, edhe mbrojtja po bën mirë. Gjithashtu edhe portieri po bën ndërhyrjet e tij në momente të caktuara.
Vllaznia? Rivalë për titull janë disa. Di që kanë bërë pikë, vetëm kaq. Nuk më takon të bëj rolin e analistit. Nuk e kisha parashikuar këtë ecuri, por nuk jam Zoti dhe nuk di gjithçka. Humbja me Vllazninë peng? Kur humb në fund të vjen keq, por vetëm kaq. Më intereson ndeshja e radhës për momentin, si dhe skuadra ime”, përfundoi Nevil Dede.