Dede: Kukësi është i fortë, por Tirana mbetet favorite!

Nevil Dede foli në konferencën për shtyp para super ndeshjes kundër Kukësit, e vlefshme për javën e 10-të të Kategorisë Superiore. Trajneri i bardhebluve e pranoi se dëmtimet janë kthyer në një problem të madh për Tiranën gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që vlerësoi skuadrën verilindore.

“Po kalojmë disa probleme, Vangjeli është larguar për arsye shëndetësore. Ka një problematikë, që vetëm një doktor në Greqi mund ta përmirësojë. Kjo vjen nga ndeshjet e shumta dhe ngarkesa ka qenë e madhe për disa. Uroj ta përballojmë nesër sa më mirë. Të gjithë do japin më shumë nesër kundër Kukësit. Problematika të bezdis, por nuk jam i shqetësuar.

Kukësi është një ekip i fortë. Duam të shprehemi mirë, të jemi solidë dhe të përfaqësojmë fanellën. Duam të shkojmë në rrugën e vjetshme. Nuk është se kemi ecur shumë mirë deri tani. Ajo që e rrit këtë klub janë prodhimi që vjen nga akademia. Është bërë punë e mirë dhe kjo më intereson. Ata e ndjejnë fanellën dhe e duan. Ata që e duan mund të japin edhe më shumë nga vetja.

Ky grup po bën mirë dhe vetëm prej pikëve opinioni mund të bëjë kritika. Kemi shumë të rinj, mund të kenë luhatje. Edhe pse të rinj, kanë pasur pak luhatje. Kjo më ngroh mua. Kemi luajtur shumë ndeshje dhe kemi qenë disi të brishtë përpara. Po të shënonim do kishim 3-4 pikë më shumë. Shifrat flasin për ne, në zotërim topi. Kur ha bukë edhe thërrime do bësh. Përpiqemi të ushqehemi sa më mirë.

Tirana favorite? Jam i bindur se Tirana do të humbë shumë pak ndeshje, por sa do fitojmë mbetet për t’u parë. Ndokush thotë që ishte dështim barazimi me Skënderbeun. Luajtëm në sulm dhe normalisht lihen hapësira prapa. Nëse fitojmë nesër, do i rikuperonim ato tre pikë dhe do afroheshim. E shohim nesër kush ka një marsh tepër. Ne jemi Tirana dhe jemi favoritë, edhe sikur të luajmë me 19-vjeçarë. Skuadrës i vë notën 8. Po shënonim 3-4 gola më tepër do t’i vendosja notën 9”, përfundoi Dede.

SHKARKO APP