Dede merr fitoren e parë me Tiranën, Vllaznia e Kukësi triumfojnë me 3 gola
Nevil Dede më në fund ka shijuar fitoren e parë nën drejtimin e Tiranës. Bardheblutë triumfuan minimalisht 1-0 në transfertën ndaj Laçit. Kurbinasit kishin rastin për të kaluar të parët në avantazh në minutën e 35-të me Nwabueze, por do të ndalej nga portieri Bekaj. Tri minuta më pas Batha shënoi golin e vetëm të ndeshjes që e largon disi Tiranën nga “zona e ftohtë”.
Vllaznia vijon të ruajë kryesimin në Kategorinë Superiore. Kuqeblutë triumfuan 3-0 ndaj Kastriotit. Dunga, Dilaver dhe Imeri ishin aurorat e golave për shkodranët që po kalojnë një moment fantastik.
Kukësi për momentin merr vendin e dytë në renditje, pas fitores 3-0 kundër Bylisit në transfertë. Eze në minutën e 2-të dhe Ibrahimi në të 45-n, ishin protagonist në suksesin e verilindorëve. Ndërkohë që në fundin e ndeshjes, Limaj realizoi nga pika e bardhë. Apolonia ndërkohë mori fitoren e parë në kampionat, pasi mundi 1-0 Skënderbeun. Golin e vetëm e shënoi Gjata me penallti 10 minuta nga fundit. /R.Lika-Koha Jone/