Dede: Tirana e ka detyrim titullin, Ngoo dhe Hasani janë të mirëpritur!
Tirana ende nuk e ka shijuar fitoren e parë nën drejtimin e Nevil Dedes e këtë synon ta arrijë në ndeshjen me Laçin. Trajneri i bardhebluvë, në konferencën për shtyp para sfidës me kurbinasve është shprehur se mirëpret rikthimin e mundshëm të Ngoo.
“Në çdo ndeshje është koha për të fituar Tirana. Është mirë që ekipi të rikthehet sa më shpejt te rezultatet pozitive. Kampionati ka një koeficient vështirësie shumë të lartë, janë një grup skuadrash që nuk kanë diferencë dhe rezultatet e ngushta dhe barazimet po e tregojnë diçka të tillë. Laçi ka investuar shumë, e njoh mirë presidentin dhe ambientin atje. Kam punuar vite më parë në atë klub dhe kam një eksperiencë të mirë, kështu që kam edhe një raport të mirë.
Sfida në Laç? Normal, fusha e Laçit është në parametra të mira dhe meriton komplimente. Presidenti merret me detajet dhe është miku im. Do kem edhe emocione miqësore, josportive. Ai meriton dhe gëzon respektin tim. Do të shkoj të takoj një mik dhe do të luftojmë fort. Besoj se do të jemi sërish miq pas ndeshjes.
Kalendari? Intensiteti është i madh, ndeshjet janë të ngjeshura. E rëndësishme është që ne të mos kemi më dëmtime. Gradualisht po rikuperojmë Bathën, Toshevksin dhe Torasën, që po shkojnë në 100-përqindëshin e tyre. Shpresojmë që shumë shpejt të na bashkohet edhe Çelhaka, pasi Cale kthehet në janar. Intensiteti i ndeshjeve është i lartë dhe kjo është diçka që nuk fshihet dot.
Nëabueze? Vjet ka bërë një sezon shumë të mirë, është lojtar me cilësi. Golashënues i sezonit të shkuar dhe Laçi bëri një investim tek ai. Gjithsesi, ne jemi Tirana dhe do mundohemi ta fitojmë ndeshjen, duke neutralizuar pikat më të forta të kundërshtarit. Duke e bërë këtë do ta kemi më të thjeshtë. Meritojnë respekt cilësitë dhe organizimi që ka Laçi si skuadër.
Tirana për titull? Tirana do titullin dhe e ka detyrim. Kjo përkthehet që në çdo ndeshje duhen marrë tri pikët. Janë gjashtë ndeshje dhe do të tentojmë 18 pikë deri në fund të vitit.
Ngoo dhe Hasani? Në një skuadër, sidomos te Tirana, lojtarët e mirë janë të mirëpritur. Shpresoj të kemi sa më shumë emra të tillë, si ata që përmendet, pa harruar vlerën e këtyre që janë tani. Këta që janë tani janë shumë të rëndësishëm. Në të ardhmen do të mendojmë edhe për këta emrat që të intrigojnë dhe të bëjnë të besosh se mund të përforcohesh”, deklaroi Dede.