Dekorohet klubi ”Besa” me titullin ”Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, Meta: Kavaja dhe futbolli janë si një binom

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar klubin e Kavajës ”Besa” me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit“. Motivacioni i këtij dekorimi është “Për kontributin dhe përfaqësimin me dinjitet të futbollit shqiptar. Djep i talenteve të mëdha të futbollit me rezultate të shkqëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”. Së bashku me klubin ”Besa”, Meta gjithashtu ka dekoruar edhe 5 ish-futbollisë dhe futbollistë me titujt ”Mjeshtër i Madh”. Futbollistët e dekoruar janë Muharrem Kariqi, Dashnor Bajaziti, Naim Allaj, Altin Rraklli si dhe futbollistin, i cili ka ndërruar jetë Alush Merhori. Në fjalën e tij, Meta tha se Kavaja dhe futbolli janë si një binom i pandashëm, pasi ky qytet ka nxjerrë shumë talente në këtë fushë. Presidenti po ashtu u shpreh se klubi “Besa” është një skuadër e kategorisë së lartë dhe me shumë tituj të fituar.

Njoftimi i plotë nga Presidenca

Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne sport klubin “Besa” si dhe pesë futbollistë të shquar të ekipit kavajas dhe atij Kombëtar Shqiptar. Kreu i Shtetit nderoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit” ekipin e futbollit “Besa”, me motivacionin “Për kontributin dhe përfaqësimin me dinjitet të futbollit shqiptar. Djep i talenteve të mëdha të futbollit me rezultate të shkqëlqyera në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare”. Presidenti Meta dekoroi futbollistin kavajas Alush Merhori (pas vdekjes) me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin “Në shenjë vlerësimi për kontributin dhe rezultatet e larta të arritura në futboll si sulmues i ekipeve “Besa” dhe “Partizani”. I palodhur në punën e tij si trajner në përgatitjen e lojtarëve të rinj e të portierëve të mëdhenj kavajas dhe Ekipit Kombëtar”.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u vlerësuan nga Kreu i Shtetit futbollistët: zoti Muharrem Kariqi “Për talentin e padiskutueshëm si mesfushor me teknikë brilante dhe ‘truri’ i ekipit kavajas. Golashënues spektakolar dhe futbollist me fantazi e inteligjencë mjeshtërore. I dalluar me ekipet ‘Partizani’ dhe Ekipin Kombëtar, në veprimtaritë kombëtare dhe ndërkombëtare.”; zotin Dashnor Bajaziti “Në shenjë vlerësimi për kontributin e dhënë si futbollist i shquar i ekipit ‘Besa’ dhe Ekipit Kombëtar. Talenti dhe loja e tij janë frut i përgatitjes së gjithanshme, si qendërsulmues elegant me rezultate të shkëlqyera sportive në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.”; zotin Naim Allaj “Në shenjë vlerësimi për kontributin e spikatur në futbollin kavajas si qendërmbrojtës i pathyeshëm para çdo skuadre. Futbollist i talentuar, i dalluar për lojën cilësore dhe korrektësinë e tij në fushën e jashtë saj.”; si dhe zotin Altin Rraklli “Në shenjë vlerësimi për talentin, cilësitë e spikatura dhe kontributin e madh në sukseset e Ekipit Kombëtar, ekipeve “Besa” dhe “Tirana”, si dhe në klubet e njohura të futbollit gjerman. I palodhur në fushën e blertë, sulmues plot fantazi dhe golashënues i dalluar.”

Në fjalën e Tij Presidenti i Republikës u shpreh:

“Si President i Republikës kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj një skuadër me një emër të madh, por dhe me një traditë të madhe dhe historike, që me të drejtë është quajtur ‘djepi i futbollistëve të talentuar’. Kavaja dhe futbolli janë një binom me një traditë të hershme e nisur 96 vite më parë. ‘Besa’ e Kavajës në historinë e saj ka përpjekjet e vërteta të dhjetëra e qindra futbollistëve, të cilët kanë veshur fanellën e saj, por dhe kanë mbrojtur me dinjitet ngjyrat jo vetëm të skuadrës së tyre, por edhe kuqezi të Ekipit Kombëtar.

Gjithë dashamirësit e futbollit ruajnë dhe sot ato kujtime të bukura dhe emocionuese të ndeshjeve të jashtëzakonshme dhe dinjitoze të skuadrës së ‘Besës’, në aktivitete kombëtare, por dhe në ato ndërkombëtare. Skuadra e ‘Besës’ është përfaqësuese e një gjenerate të artë, që është skalitur, në kujtesën e sportdashësve tanë. Ajo do të kujtohet dhe si e para skuadër që aplikoi me sukses ‘offside’ artificial, si pjesë të taktikës së saj.

Për futbollin shqiptar një taktikë e tillë në mbrojtje ishte një surprizë, që skuadra e ‘Besës’ e praktikoi për sezone të tëra, duke çorientuar vazhdimisht kundërshtarët. ‘Besa’ në historikun e saj ka 26 ‘Mjeshtër Sporti’, 11 ‘Mjeshtër të Merituar Sporti’, 10 ‘Qytetarë Nderi’, skuadrën e vitit 1958 dhe 1972 që janë vlerësuar ‘Krenaria e Qytetit’ dhe 11 lojtarë që janë vlerësuar me titullin ‘Mirënjohje e qytetit’.

Pa dyshim skuadrën dhe futbollistët, që nderojmë sot janë krenari, jo vetëm për futbollin e Kavajës, por edhe për atë kombëtar. Sporti në Kavajë ka nevojë të vlerësojë historinë e tij të lavdishme dhe të jetë krenar për të, në mënyrë që “Besa” të rikthehet edhe më e fuqishme në arenën e futbollit. Por njëkohësisht është detyrë fisnike dhe qytetare të vlerësojmë futbollistët, të cilët kanë qenë pjesë e emocioneve të sportdashësve tanë dhe me talentin e tyre kanë frymëzuar shumë fëmijë për të ecur në rrugën e sportit.

Alush Merhori, të cilin do ta kujtojmë gjithmonë, ka qenë një nga mjeshtërit e futbollit kavajas dhe anëtar i një familje me tradita të mëdha që ka nxjerrë plot një skuadër me 11 futbollistë. Me një karrierë të gjatë si futbollist dhe trajner, ai ka fituar 3 herë titullin kampion dhe 2 herë atë të Kupës së Shqipërisë me ‘Partizanin’. Si futbollist i nivelit të parë ai dha shembullin për rritjen e nivelit, cilësisë dhe rezultateve të ‘Besës’.

Pa diskutim, që një nga yjet e futbollit kavajas, por edhe atij kombëtar është mesfushori me një teknikë brilante, Muharrem Karriqi. Kariqi, ka qenë një regjisor i shkëlqyer i lojës, një sulmues teknik dhe inteligjent, një mjeshtër në shënimin e golave të bukur, një futbollist, që të gjithë e admironin, për talentin e tij të jashtëzakonshëm dhe për personalitetin e tij të padiskutuar në fushën e blertë.

Naim Allaj është një tjetër futbollist i shquar i ekipit ‘Besa’. Një qendërmbrojtës i fuqishëm dhe i pathyeshëm nga kundërshtarët. Një futbollist me një regjim sportiv shembullor, lojtar i sakrificave të mëdha dhe pa fund dhe një sportist i disiplinuar dhe i përkushtuar për ekipin. Me lojën e tij, ai fitoi, jo vetëm simpatinë e tifozëve të Kavajës, por të anembanë Shqipërisë. Një emër i madh i futbollit kavajas, por dhe atij kombëtar është futbollisti legjendar, i gjithanshmi Dashnor Bajaziti, i cili ka një karrierë të mrekullueshme dhe meritat e tij në futboll janë historike.

Si lojtar i ‘Besës’ është shpallur 3 herë fitues i ‘Këpucës së Artë’ dhe ka qenë golashënuesi më i mirë për 3 sezone sportive të kampionatit kombëtar. Bajaziti ka fituar me kombëtaren ‘Shpresa’ titullin Kampion i Ballkanit dhe unë kam pasur fatin që t’i mbaj mend golat e tij atë ditë në stadium, pasi ajo fitore 7-1 ishte një përmbysje e madhe pas humbjes 3-1 në Rumani. Vërtet ishte një kombëtare e jashtëzakonshme dhe një Bajazit i jashtëzakonshëm. Altin Rraklli qendër sulmues dhe golashënues i sp i Kombëtares sonë dhe futbollit tonë. Një nga më të spikatur në historinë e futbollit të Kavajës dhe Shqipërisë.

Është një nga futbollistët e parë që në vitet e tranzicionit të demokracisë luajti në Perëndim me shumë sukses dhe me skuadra shumë të njohura në Gjermani. Raklli mbahet mend për shpejtësinë e tij, për cilësitë e larta teknike, për befasinë e tij në goditje, por mbi të gjitha për intuitën e shkëlqyer para portës. Golashënues dhe titullar i padiskutueshëm i Ekipit Kombëtar. Rakllin gjithashtu e njohim edhe si trajnerin e parë të ekipit Kombëtar për femra të Shqipërisë, duke u përpjekur për t’i frymëzuar ato, në këtë risi të futbollit tonë. Respekt dhe mirënjohje të veçantë, dua t’i përcjell të gjithë mësuesve dhe trajnerëve të tuaj, që kanë punuar pa u lodhur, në kushtet e vështira të kohës, për të përgatitur lojtarë të mrekullueshëm si ju.

Një falënderim nga zemra iu përcjell familjeve tuaja të nderuara, që ndihen krenarë për sportistë si ju dhe që duhet të vazhdojnë të jenë, për atë që keni bërë për futbollin dhe për mbarë sportin tonë. Dëshiroj t’ju falënderoj për kontributin dhe sukseset e arritura, për kënaqësitë që i dhatë të gjithë sportdashësve tanë jo vetëm në Kavajë, por anembanë vendit, por dhe për modelet që na keni sjellë në sportin tonë, të cilat duhet të na shërbejnë për t’i edukuar edhe fëmijët me dashurinë për futbollin dhe për sportin. Me qëllim për të punuar plot pasion për suksese të reja për ‘Besën’ dhe për sportin tonë”.

SHKARKO APP