Dëmtohet anësori portugez i Juventusit, 1 muaj jashtë fushave
“Francisco Conceicao, pas problemit muskulor të pësuar gjatë stërvitjes së djeshme, iu nënshtrua testeve diagnostikuese në “Jmedical”, të cilat evidentuan një dëmtim të muskujve peroneal të këmbës së djathtë. Lojtari do t’iu nënshtrohet testeve të reja për 10 ditë”.
Ky është njoftimi i Juventusit, që bën të ditur diagnozën e saktë të problemit muskulor që i ndodhi mëngjesin e djeshëm anësorit portugez.
Duke bërë një vlerësim fillestar se sa kohë do të duhet të qëndrojë lojtari jashtë fushës, mësojmë se 25 ditë është minimumi për dëmtime të këtij lloji, duke përjashtuar çdo surprizë.
Mungesa e tij në dy ndeshjet, pas rifillimit të kampionatit, është mëse e dukshme. Fillimisht ndeshja jashtë fushe me Empolin dhe më pas debutimi në Champions League kundër PSV-së, të planifikuara për të shtunën e 14 shtatorit dhe të martën e 17 shtatorit. Edhe për ndeshjen e madhe kundër Napolit më 21 shtator ka pak gjasa që të zbresë fushë.