Derbi brenda familjes Thuram, Khephren dhe Marcus sfidohen sërish në fushë

Derbi i Italisë nuk luhet vetëm në fushë mes Interit dhe Juventusit, por edhe brenda familjes Thuram. Përballja mes dy vëllezërve, Marcus Thuram dhe Khephren Thuram, i jep sfidës një dimension të veçantë, ndërsa babai i tyre, legjenda franceze Lilian Thuram, pritet ta ndjekë me vëmendje, të paktën zyrtarisht si spektator neutral.

Që prej momentit kur të dy luajnë në Serie A, bilanci i përballjeve direkte anon nga mesfushori i Juventusit. Khephren mbetet i pamposhtur ndaj vëllait të madh në kampionat. Gjithçka nisi me spektaklin 4-4 të tetorit 2024 në “San Siro”, me rikthimin e bujshëm të bardhezinjve të udhëhequr nga dopieta e Yildiz. Më pas erdhën dy humbje për Interin në “Allianz Stadium”: 1-0 në shkurt 2025 me golin e Conceicao-s, kur në stol ishte ende Thiago Motta, si dhe 4-3 në shtator, në një ndeshje të çmendur ku të dy vëllezërit gjetën rrugën e rrjetës për Juventusin e drejtuar atëherë nga Igor Tudor.

Pikërisht në atë sfidë rivaliteti mes tyre mori formë të qartë. Marcus realizoi me kokë për 3-2 pas një goditjeje këndi, duke festuar me buzëqeshje dhe duke treguar kokën, ndërsa shikimi i shkonte asistuesit Dimarco. Vetëm shtatë minuta më vonë, Khephren iu përgjigj me të njëjtën monedhë: gol me kokë dhe festë plot nerv, duke shtrënguar fanellën për të nxjerrë në pah mbiemrin e tij. Barazimi i tij hapi rrugën për përmbysjen e firmosur nga Adzic, që vulosi fitoren 4-3.

Swiss Digital Desktop Reklama

Marcus synon të shfrytëzojë momentin pozitiv të Interit për të thyer mallkimin ndaj Juventusit, skuadër që nuk e mposht prej shkurtit 2024, kur një autogol i Gatti-t i hapi rrugën titullit të dytë radhazi ekipit të drejtuar atëherë nga Simone Inzaghi, pas triumfit ndaj Juventusit të Massimiliano Allegrit.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, humbja e fundit e Khephren ndaj vëllait daton shumë më herët: janar 2019, në Kupën e Ligës franceze, kur Guingamp i Marcus triumfoi me penallti ndaj Monacos së “vëllait të vogël”. Që prej asaj mbrëmjeje, historia ka folur vetëm për Khephren. Të shtunën, një tjetër kapitull do të shkruhet në sagën familjare Thuram, me Derbin e Italisë që premton gola, krenari dhe një duel që shkon përtej fanellës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?