Derbi i Italisë: Rikthimi i Dumfries, gjendja e McKennie
Rikthimi i Denzel Dumfries në stërvitje me grupin, edhe pse për një pjesë të shkurtër, shënon një moment të rëndësishëm për Interin pas tre muajsh mungese. Ky riintegrim i pjesshëm synon ta rikthejë atë në formë të plotë brenda pak javësh, veçanërisht për ndeshjen e kthimit kundër Bodo. Vetë lojtari holandez e kishte paralajmëruar rikthimin e tij, duke mbajtur fjalën. Mungesa e Dumfries, i cili iu nënshtrua një operacioni në kyçin e këmbës, ishte ndjerë shumë nga Interi në muajt e fundit, por tani problemi duket se ka kaluar përfundimisht.
Mbetet për t’u parë nëse trajneri zikaltër do të zgjedhë ta thërrasë Dumfries për derbin e Italisë këtë të shtunë, por lajmi i shumëpritur ka mbërritur. Nga fillimi i nëntorit deri në mes të shkurtit, mbrojtësi i krahut është më në fund sërish në dispozicion. Ky është një lajm i shkëlqyer për të gjithë Interin, duke iu shtuar rikuperimeve të Nicolo Barella dhe Hakan Calhanoglu. Është e mundshme që Barella të startojë si titullar kundër bardhezinjve, ndërsa turku do të jetë në stol, gati për të hyrë në lojë në rast nevoje. Këto tre rikuperime janë vendimtare pikërisht në fazën kyçe të sezonit, duke i dhënë trajnerit Chivu arsye për të buzëqeshur.
Nga ana tjetër, te Juventusi, Weston McKennie ka kryer stërvitje të personalizuar për shkak të një prerjeje në kyçin e këmbës, të marrë në ndeshjen kundër Lazios. Megjithatë, amerikani nuk është në dyshim për derbin e Italisë dhe pritet të bashkohet me grupin që nesër. Trajneri Spalletti do të mund të llogarisë tek ai, ashtu si edhe tek Conceiçao, i cili është rikthyer në stërvitje të rregullta me shokët e skuadrës pasi kishte marrë pak pushim ditët e fundit për shkak të një mbingarkese të lehtë në fleksorin e djathtë. Amerikani dhe portugezi janë ndër lojtarët më të pritur në derbin e Italisë në “San Siro”, ashtu si edhe Yildiz, i cili, me një gol, mund të bëhet lojtari i parë i Juventusit që shënon të paktën nëntë gola në një sezon të Serisë A para se të mbushë 21 vjeç, duke ndjekur gjurmët e Roberto Bettega në sezonin 1970/71.
Marrë nga La Gazzetta dello Sport
KOHA JONË SONDAZH

