Derbi i Madoninës “ndez” Champions League, ja detajet që duhet të dini para super përballjes
Mbrëmja e shumëpritur tashmë po vjen në Milano, me derbin e Madoninës që do të vendosë përballë Interin dhe Milanin, por këtë herë për gjysmëfinalen e Champions League. “San Siro” është i gjithi sold out, me një rekord arkëtimesh që shkon në 10 milionë euro. Në orën 21:00, Pioli dhe Inzagji janë gati për të diskutuar një betejë që pritet të sjellë emocione dhe spektakël. Të dyja ekipet në total kanë fituar 10 herë kompeticionin më të rëndësishëm për klube së bashku.
Kjo do të jetë hera e parë që dyshja e Serisë A-së do të luajnë me njëra-tjetrën në garën më të mirë të klubeve evropiane pas të ashtuquajturit “derbi i turpit” të vitit 2005, një çerekfinale e fituar nga Milani, ndeshja e dytë e së cilës u pezullua pasi tifozët e Interit që nisën hedhje të fishekzjarrëve, me skuadrën e tyre që ishte shumë prapa në rezultat të përgjithshëm.
Interi në këtë ndeshje vjen me një formë shumë të mirë, teksa kanë 5 fitore radhazi, me sulmin që ka gjetur një vazhdimësi mjaft të mirë, ku Dzeko, Lautaro dhe Lukaku më në fund po tregojnë vlerat e tyre. Skuadra e Inzaghit ka realizuar 14 gola në 5 ndeshjet e fundit. Milani në krahun tjetër nuk është se po kalon një moment shumë pozitiv. Në 5 ndeshjet e fundit ka dy fitore dhe tri barazime, por suksesi ndaj Lazios mund ta motivojë më shumë.
Formacionet e mundshme – Do të jetë një duel interesant dhe nga pikëpamja takitike. Pioli me shumë mundësi do të këmbëngul me skemën 4-2-3-1. Leao në këtë ndeshje pritet të mos aktivizohet për asnjë minutë për shkak të dëmtimit muskulor që pësoi në fundjavë. Maignan do të jetë në portë, dyshja Kjaer-Tomori në qendër dhe Calabria e Hernandez. Krunic dhe Tonali do vendosen para mbrojtjes, ndërkohë që Diaz, Bennacer dhe Saelemaekers do mbështesin Giroud të vetëm në sulm.
Në krahun tjetër Inzaghi i beson skemës 3-5-2. Onana do të jetë në portës, Bastoni, Acerbi dhe Darmian në mbrojtje. Dumfries dhe Dimarco në krahët e mesfushës, ndërkohë që Mkhitaryan, Brozovic dhe Barella formojnë trinomin e mesufshës. Në sulm prite të jetë dyshaj Dzeko dhe Lautaro Martinez. /R.Lika-Koha Jonë/

KOHA JONË SONDAZH

