Derbi Inter-Juventus, zikaltrit synojnë të thyejnë “mallkimin” kundër bardhezinjve
Është folur shumë, ndoshta edhe më tepër seç duhet duke parë ecurinë e përgjithshme të sezonit zikaltër, për vështirësitë e Interit në përballjet direkte me skuadrat e mëdha. Megjithatë, vendi i parë në kampionat, gjysmëfinalja e Kupës së Italisë dhe faza play-off e Champions League, e mbyllur si skuadra më e mirë italiane në grupin unik, përbëjnë një bilanc që në mesin e shkurtit kënaq si klubin, ashtu edhe tifozët. Në horizont, megjithatë, shfaqet një sfidë që për Interin ka marrë përmasat e një tabuje: Derbi i Italisë ndaj Juventusit.
Duke analizuar përballjet në kampionat që nga sezoni 2006/07, pas rikthimit të Juventusit në Serie A, shifrat tregojnë një vështirësi të vazhdueshme për zikaltërit: 7 fitore, 11 barazime dhe 19 humbje. Edhe në vitet e arta të Interit, si sezoni i Tripletës në 2009/10, kur skuadra ishte në majat e futbollit botëror dhe Juventusi ende kërkonte rikthimin te suksesi përpara ciklit Conte-Allegri, sfidat mes dy rivalëve kanë qenë të balancuara dhe shpesh të vendosura nga detaje të vogla. Përjashtim bën fitorja 2-0 në “San Siro” në sezonin 2009/10.
Në realitetin aktual, Interi nuk ka arritur të mposhtë Juventusin prej më shumë se dy vitesh. Suksesi i fundit daton më 4 shkurt 2024, një fitore minimale 1-0 në sezonin e “yllit të dytë”, që praktikisht i preu rrugën bardhezinjve në garën për titull. Që nga ajo ndeshje, zikaltërit kanë regjistruar dy humbje, përfshirë spektaklin 3-4 në ndeshjen e parë të këtij sezoni, si dhe një barazim dramatik me tetë gola më 27 tetor 2024.
Të shtunën në mbrëmje, Interi nuk do të luftojë thjesht kundër “kompleksit të ndeshjeve të mëdha”, por për të thyer një mallkim që e ka ndjekur në përballjet me Juventusin.
KOHA JONË SONDAZH

