Derbi shqiptarësh në U20, Durmishi shënon në suksesin e Juves ndaj Interit
Arman Durmishi vazhdon të konfirmohet si një nga talentet më premtues te Juventus U20. Edhe pse vetëm 17 vjeç, sulmuesi shqiptar po gjen hapësira të rregullta në ekipin e të rinjve bardhezi dhe po lë gjurmë me paraqitjet e tij.
Në çerekfinalen e Kupës së Italisë për këtë grupmoshë, Juventusi u përball me Interin, në portën e të cilit aktivizohej shqiptari tjetër, Alain Taho. Durmishi e nisi sfidën nga stoli, ndërsa ekipi i tij kishte marrë avantazhin që në minutat e para të takimit.
I hedhur në fushë në pjesën e dytë, 17-vjeçari nuk humbi kohë për të bërë diferencën. Në minutën e 81-të, në rastin e parë të pastër që iu paraqit, Durmishi realizoi me saktësi, duke shënuar golin e rezultatit të përkohshëm 2-0 dhe duke vulosur praktikisht fatin e ndeshjes.
Ky ishte goli i shtatë sezonal për talentin kuqezi në 15 paraqitje me Juventus U20, statistika që konfirmojnë rritjen e tij të qëndrueshme dhe impaktin në repartin ofensiv.
Durmishi po ndërton me ritëm një profil premtues në akademinë e “Zonjës së Vjetër”, duke forcuar gjithashtu perspektivën e tij me Kombëtaren shqiptare.

KOHA JONË SONDAZH

