Derbi Tirana-Partizani drejt Peqinit, Gjici presion Kukësit për fitore në Fier
Barazimi në Korçë 1-1, ndonëse ishte rezultat pozitiv dhe e mban Kukësin kë krye të klasifikimit, pas ndeshjeve të javës së 24-ët në Kategorinë Superiore, nuk ka lënë shije të mirë për verilindorët. Loja jo shumë e mirë e Kukësit, e ka zhgënjyer disi presidentin Safet Gjici, i cili ka mbledhur ekipin në një analizë dhe i ka kërkuar fitore me çdo kusht në Fier ndaj Apolonisë. Ndeshja e radhës për Kukësin do të luhet të shtunën, ku në rast se mungon fitorja me Apoloninë e vendit të fundit pretendimet e Kukësit për titull mund të marrin një goditje të fortë. Për këtë arsye, presidenti Safet Gjici ka marrë pjesën në analizën e djeshme të ekipit duke i komunikuar lojtarëve se priste më shumë prej tyre nga transferta me Skënderbeun, ndërkohë që i ka kërkuar fitoren ekipit në ndeshjen e radhës me Apoloninë. Sakaq, Skënderbeu udhëton në Durrës, në transfertën e së shtunës me Teutën dhe i duhet po ashtu fitorja për të pretenduar titullin, ndërsa derbi mes Tiranës dhe Partizanit ende nuk ka marrë një përgjigje nëse do të luhet të premten në mbrëmje, ora 19.00, sipas programit. Dy ekipet kryeqytetase, gjithashtu pretendente për titullin kampion, nuk mund të luajnë në “Qemal Stafa”, pasi stadiumi kombëtar nuk i ka hapur dyert. Tirana ka bërë kërkesë në FSHF që kjo ndeshje të shtyhet dhe të luhet një ditë tjetër, kur stadiumi të jetë gati, por Partizani e ka kundërshtuar këtë ide. Të kuqtë duan të luajnë sipas programit dhe i takon Tiranës, si organizatore e ndeshjes, të gjejë një stadium. Pritet që sot të arrihet marrëveshja dhe nëse Partizani nuk tërhiqet, derbi do të luhet në Peqin, i cili është i vetmi stadium afër kryeqytetit që do të jetë i lirë gjatë fundjavës.
KOHA JONË SONDAZH

