Derbi Tirana-Partizani “në ajër”, mbyll dyert “Qemal Stafa”, stadiumet e tjera të zëna
Ndodh ajo që nuk pritej. Lajmi se derbi Tirana – Partizani do të luhet në “Qemal Stafa”, që pati mbyllur dyer për gati dy muaj, ka rezultuar një zhgënjim i madh për tifozët e shumtë të kryeqytetit. Dy ditë para derbit, shoqëria Kuqezi që ka në administrim impiantin ndërkombëtar “Qemal Stafa” konfirmon të kundërtën, se derbi nuk mund të luhet në këtë stadium, edhe pse sapo është shtruar tapeti i ri. Sipas drejtorit të stadiumit, Eduard Prodani, fusha e blertë e instaluar vetëm para pak javësh nuk është gati për t'u përuruar këtë të premte. Ekspertët e firmës greke që bënë të mundur shtrimin e tapetit nuk kanë dhënë miratimin që “Qemal Stafa” të hapë dyert që këtë fundjave, madje sipas tyre është në dyshim edhe ndeshjes e javës së 25- të e Kategorisë Superiore, mes Partizanit dhe Flamurtarit, pasi bari nuk është lidhur në parametrat e duhur me tokën. Ky vendim surprizë ka vënë në alarm drejtuesit e FSHF-së dhe të dy klubeve kryeqytetase, që po negociojnë për të gjetur opsionin më të mirë të mundshëm për ditën, orën dhe vendin për zhvillimin e derbit. Në kryeqytet nuk ka asnjë impiant funksional për të pritur derbin, pasi edhe “Selman Stërmasi” është shndërruar në kantier ndërtimi. Për koincidencë edhe “Elbasan Arena” nuk mund të hapë dyert për derbin, pasi po vijojnë punimet për shtrimin e pistës së tartanit. Sa i përket stadiumit “Niko Dovana” të Durrësit, këtë fundjavë është programuar zhvillimi i ndeshjes mes Teutës dhe Skënderbeut. Edhe në Fier, të shtunën Apolonia pret Kukësin, ndërsa në Kavajë Besa pret Burrelin në Kategorinë e Parë, sikurse edhe Kastrioti në Krujë pret Adën e Velipojës. Kësisoj, duke qenë se nuk ka një stadium të lirë afër kryeqytetit pritet që derbi të shtyhet dhe të luhet të hënën, ose mund të spostohet ndonjë nga ndeshjet e tjera të një kategorie me poshtë, që kjo ndeshje të luhet në Krujë, ose Kavajë, sipas orarit të përcaktuar, të premten ora 19:00.
KOHA JONË SONDAZH

