Derbi Tirana-Partizani, policia publikon masat
Policia e Tiranës ka publikuar masat për mbarëvajtjen e ndeshjes Tirana-Partizani që do të zhvillohet nesër në orën 19:45, në stadiumin “Air Albania”. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.
Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, si dhe bllokime të pjesshme të disa segmenteve rrugore, gjatë momentit të kalimit të tifozerive.
Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitet, janë: Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.
Do të ketë bllokim të pjesshëm të rrugëkalimeve të tifozëve, si më poshtë: Lëvizja e tifozëve të Tiranës do kryhet: Xhamllik – ura e Rrugës së Elbasanit – rruga “Pap Gjon Pali II” – Stadium; Pallati i Operas – Rruga e Elbasanit,– rruga “ Barjam Curri” – rruga “Pap Gjon Pali II” – stadium.
Lëvizja e tifozëve të Partizanit: Kryqëzimi i rrugës “Muhamet Gjollesha” me rrugën “Artan Lenja”, përgjatë rrugës “Muhamet Gjollesha”, rruga “Sulejman Delvina”, rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi para Gardës – rruga “Lek Dukagjini” – stadiumi.
Autoritetet sqarojnë se do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj. dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.