Derbi Tirana–Partizani, policia publikon planin e masave dhe akset që bllokohen
Policia e Tiranës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar rendin dhe sigurinë para, gjatë dhe pas zhvillimit të derbit mes ekipeve “Partizani” dhe “KF Tirana”, që do të zhvillohet sot në orën 16:30 në stadiumin “Arena Kombëtare”. Qëllimi është sigurimi i një ambienti të qetë dhe i rregullt për tifozët dhe qytetarët përgjatë gjithë ditës.
Për këtë arsye, disa segmentet rrugore do të jenë të bllokuara nga ora 14:00 deri në përfundim të aktivitetit. Rrugët që nuk do të jenë të qarkullueshme për automjetet përfshijnë Sheshin “Nënë Tereza”, rrugën “Lekë Dukagjini”, rrugën “Dervish Hima”, si dhe zonat përreth stadiumit “Air Albania”. Këto bllokime synojnë të lehtësojnë qarkullimin e tifozëve dhe të parandalojnë përplasjet apo grumbullimet e mundshme.
Për tifozët janë përcaktuar rrugëkalime të veçanta. Ata të “Partizanit” do të nisen nga zona e Inxhinierisë, do të lëvizin përmes rrugës “21 Dhjetori”, më pas tek “Libri Universitar”, pranë Presidencës, rruga “Gjergj Filipi” dhe përfundimisht tek tribuna N. Ndërsa tifozët e “KF Tiranës” do të nisën nga Sheshi “Skënderbej”, duke kaluar pranë ish-Hotel “Dajti”, Ura e Dajtit, ETC-ja, rruga e Elbasanit dhe më pas drejt rrugës “Sheh Ahmet Pazari”, “Ambasador 3”, për të hyrë në hyrjet V–S.
Policia do të monitorojë dhe do të sigurojë lëvizjen e tifozëve përgjatë itinerareve të caktuara, duke mos lejuar grumbullime apo kalime jashtë rrugëve të përcaktuara. Përveç kësaj, para hyrjes në stadium do të kryhen kontrolle të rrepta për sende të kundërligjshme si sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalikë dhe lëndë piroteknike. Tifozët duhet të jenë të pajisur me dokument identifikimi, ndërsa fëmijët nën 16 vjeç nuk do të lejohen të hyjnë pa prind ose kujdestar ligjor, të shoqëruar me dokument identifikimi.
Hyrja do të jetë e ndaluar edhe për tifozët e identifikuar më parë si problematikë në aktivitete sportive. Policia apelon për mirëkuptim nga tifozët dhe qytetarët, duke kërkuar shmangien e qarkullimit me automjete në zonat e bllokuara gjatë orareve të përcaktuara, për të siguruar një zhvillim të qetë dhe të sigurt të ndeshjes.
KOHA JONË SONDAZH

