Dhuna me arbitrat, Jemini: FSHF jep dënime qesharake

Në stadiumet shqiptare në javët e fundit, nuk ka ndodhur vetëm një rast dhune, përkundrazi janë bërë disa incidente të shëmtuara që mund të rrezikonin seriozisht edhe jetën e një personi. Ish-gjyqtari i FIFA-s, Lorenc Jeminin, ndihet i habitur që nuk ka dënime dhe duhet të përsëritet dhuna që të kujtohet Komisioni i Disiplinës. Në një intervistë për “Panorama sport”, ai thekson se FSHF justifikohet duke thënë se janë në një situatë parazgjedhore dhe për të nuk jepen dënime që mos mërzisin asnjeri.

Z.Jemini, si i komentoni incidentet e ndodhura në javët e fundit në ndeshjet e Superiores?

Këto ngjarje janë të papranueshme, sidomos ngjarja që ka ndodhur në Korçë, sepse ai qytet ka kulturë, ka traditë sportive dhe është për t’u habitur. Ka tri javë rresht që goditet me gur asistenti dhe gur i plotë, jo çakmak, me atë ai mund të dëmtohet seriozisht. Normalisht ashtu siç u godit asistenti, duhet të ndërpritej ndeshja. Njerëzit duhet ta kuptojnë që nëse dëmtohet një zyrtar i takimit, qoftë ky lojtar, arbitër, delegat, si mund të vazhdohet ndeshja me një njeri të gjakosur.

Mos ndoshta mosdhënia e dënimit në kohën e duhur ka sjellë edhe përsëritjen e këtyre veprimeve të shëmtuara?

Nuk pati asnjë dënim për fushën, për tifozin që gjuan jo e jo dhe vazhdon edhe ndeshja që të luhet, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Ka disa muaj që nuk dënohet askush. Dënohen vetëm me 50 mijë lekë të rinj. Nuk e di çfarë dënimesh qesharake janë këto. Ka tri javë që ndodh e njëjta gjë në Korçë dhe dënimi për fushën vjen me shumë vonesë. Jam tej mase i habitur, kuptohet që ekipi është në një situatë të vështirë dhe në vendin e fundit, por po flasim për sport. Nuk mundet në sport të ketë sjellje të tilla që kushdo që shkon në një ndeshje futbolli, merr një gur dhe qëllon. Por ai mund t’i shkaktojë pasoja të rënda dhe fatale atij anësorit.

Incidenti që ndodhi në tunel në Kamzë, a nuk duhet të kishin kaluar në Komisionin e Disiplinës lojtarët që u përfshinë?

Patjetër që po, aty është gabuar edhe me identifikimet e lojtarit. Aty duhet të ballafaqohen se kush e ka goditur. Ai është një incident që nuk mund të kalohet pa dënim sepse është goditje me grusht. Nuk mund të vazhdojmë kështu, goditu atje, goditi këtu dhe asnjë dënim. Është turp. Unë e kuptoj pse ndodh kjo.

Pse ndodh?

Sepse jemi në një situatë parazgjedhore dhe nuk jepen dënime që mos mërzisin asnjeri. Nuk është kjo rruga sepse do të përsëritet sërish dhe nuk i ndalon dot pastaj.

Normalisht, a nuk duhet të reagonte Shoqata e Arbitrave?

Shoqata e Arbitrave nuk është në heshtje, por nuk ekziston fare. Ajo shoqatë ka gjashtë vite që nuk ekziston më. Kur është hera e fundit që ka reaguar Shoqata e Arbitrave, e mbani mend ju? Cila shoqatë? Presidentit të saj i ka mbaruar mandati prej 6 vitesh, sepse ka kaluar moshën.

Por e kemi parë që është bërë aktiv gjatë zgjedhjeve?

Por nuk mund të votojë, e thotë hapur statuti që mbi 70 vjeç nuk mund të jesh president i asaj shoqate dhe nuk mund të ushtrosh më detyrë. Ai është 76 vjeç aktualisht dhe zyrtarë të FSHF e thonë publikisht me një qetësi olimpikë, që për Shoqatën e Arbitrave voton ai që ka votuar gjithmonë. E kuptoni se ku jemi, apo jo?

SHKARKO APP