Dhuna në ndeshjet e futbollit, qeveria shqiptare miraton një VKM të re
Qeveria shqiptare ka miratuar sot një VKM që lidhet me përcaktimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësitë për aktivitetet sportive dhe veçanërisht për rastet e dhunës në ndeshjet e futbollit. Ministrja Kushi tha se është e nevojshme të përmirësohet kuadri nënligjor që të parandalohen fenomenet e dhunës në sport.
Fjala e ministres:
“Vendimi i dytë që morëm sot është në fushën e sportit e lidhet me përcaktimin e masave të sigurisë dhe përgjegjësitë për aktivitetet sportive dhe veçanërisht për ndeshjet e futbollit. Të gjithë e dimë që sporti është e drejtë kushtetuese dhe i gjithë legjislacioni është hartuar që të jetë i aksesueshëm për të gjithë. Në ligjin për sportin është parashikuar shumë qartë që të jetë gjithëpërfshirës për gjithë qytetarët.
Është bërë fenomen global dhuna në aktivitetet sportive, veçanërisht në ndeshjet e futbollit cenon integritetin e sportit dhe misionit që ai ka argëtues dhe edukativ. Është e nevojshme të përmirësohet kuadri nënligjor që të parandalohen fenomenet e dhunës në sport.
Vitet e fundit ka përmirësime sidomos sa i takon reduktimit të dhunës midis lojtarëve në fushën e lojës por problem mbetet dhuna nga tribuna drejt lojtarëve apo dhuna e konfliktet fizike mes vetë tifozëve.
Për këtë arsye dhe pse shpesh komisionet e disiplinës kanë reaguar edhe në penalitete për lojtarët për ekipet deri në realizimin e ndeshjeve pa tifozë, përmes vendimit që ne miratuam sot kemi parashikuar të gjitha përgjegjësitë e institucioneve, procedurat që duhet të ndjekin për çdo element të aktiviteteve sportive dhe penalitetet që duhet ndërmarrë për raste të veçanta”.
KOHA JONË SONDAZH

