Di Maria planifikon largimin, Junajtid piketon Hummels për 45 mln euro
Nga Reali i Madridit, transferimi i tij në “Old Trafford” gjatë merkatos së verës së kaluar, për shumën marramendëse 75 milionë euro, duket se nuk ka sjellë atë që pritej nga lojtari argjentinas, Angel Di Maria, i cili po planifikon largimin nga Manchester United. Sipas burimeve pranë argjentinasit, arsye e këtij qëndrimi të 27-vjecarit është mënyra e menaxhimit të skuadrës nga Louis Van Gaal. Di Maria e nisi mirë sezonin me Djajtë e Kuq, duke shënuar 3 gola dhe dhënë 6 asiste në 10 ndeshjet e para në Premier League, por efektiviteti i tij me kalimin e muajve ka rënë në maksimum. Për shkak të ndryshimeve të shumta në formacion nga Van Gaal, madje duke i aktivizuar lojtarët jo në pozicionet e tyre natyrale, argjentinasi ka humbur besimin. Krisja mes trajnerit dhe lojtarit arriti pikën kulmore kur Di Marias dikush nga stafi teknik i tha se Van Gaal kishte qenë i detyruar ta blinte pas dështimit të tretativave me Juven për Arturo Vidal. Për Di Marian vazhdon të ketë interes Paris Saint Germain, por pëlqehet në Premier League edhe nga Manchester City.
Mats Hummels, në verë drejt Junajtid për 45 mln euro
Teksa Di Maria apo Falcao po planifikojnë largimin, Manchester United është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për transferimin e Mats Hummels në “Old Trafford”, pasi e konsideron futbollistin gjerman lojtarin e duhur në mbrojtje. Eliminimi i Borussias së Dortmundit nga Juve në 1/8 e Champions League, si dhe sezoni negativ në Bundesligë e kanë detyruar 26-vjeçarin të marrë një vendim për t’u larguar nga “Signal Iduna Park”. Premier League mbetet një sfidë interesante për të, gjithsesi duhet pritur fundi i sezonit për të parë nëse United do të luajë në Champions League. Louis Van Gaal ka para kesh për të shpenzuar dhe emri i parë në listën e holandezit është pikërisht Hummels, i cili konsiderohet ndër më të mirët në botë në pozicionin e tij. Borussia gjithmonë i ka refuzuar ofertat për Hummels, por tashmë që ka dalë nga objektivat në Champions dhe Bundesligë, është e gatshme t'ia plotësojë dëshirën futbollistit, por United për të siguruar shërbimet e tij duhet të paguajë jo për më pak se 45 mln euro.
KOHA JONË SONDAZH

