Dinamo dhe Laçi bëjnë paqe në Elbasan, arbitri ndihmohet nga VAR (VIDEO)
Dinamo dhe Laçi nuk kanë shkuar përtej një barazimi 1-1në duelin hapës të të javës së dytë në “Abissnet Superiore”. Dueli i luajtur në “Elbasan Arena” dhuroi shumë emocione në fraksionin e parë.
Shofranac kaloi në avantazh Dinamon në minutën e 42-të, por arbitri i ndihmuar nga VAR e anuloi për pozicion jashtë loje. Në fillimin e së dytës Laçi luan më mirë, por goli do të shënohej nga ekipi i Shkëmbit.
Pas një krosimi pa shumë pretendime nga krahu i majtë, Shehu e devijon topin në rrjetën e portës së tij. Kurbinasit nuk dorëzohen dhe krijojnë shanse të mira me kalimin e minutave, por portieri Harizaj ishte në formë fantastike.
Në fundin e kohës së rregullt, Roganovic arrin që të shënojë një gol të bukur me një goditje nga jashtë zonës, duke mos i dhënë asnjë mundësi reagimi portierit të dinamovitëve. Skuadra e Shkëmbit për momentin merr kreun me 4 pikë, ndërkohë që Laçi merr pikën e parë. /R.Lika-Koha Jone/