Dinamo mund Partizanin, Egnatia bën detyrën ndaj Teutës
Superiorja dhuroi emocione edhe këtë të martë, me ndeshje që prodhuan gola, përmbysje dhe rezultate befasuese.
Dinamo doli triumfuese nga derbi ndaj Partizanit, duke fituar 1-3 në “Arenën e Demave”. Të kuqtë e nisën më mirë takimin dhe kaluan të parët në avantazh falë golit të Tomës, por reagimi i bluve ishte i menjëhershëm.
Bregu riktheu baraspeshën, ndërsa Guindo kompletoi përmbysjen, duke heshtur stadiumin. Në minutat e fundit, fati i ktheu shpinën Partizanit, teksa Bytyçi devijoi topin në portën e tij, duke vulosur shifrat përfundimtare.
Në Durrës, Egnatia konfirmoi formën pozitive, duke marrë një fitore të çmuar minimale ndaj Teutës. Rrogozhinasit u treguan pragmatikë dhe vendosën sfidën me golin e Selmanit, që mjaftoi për të marrë tre pikë të arta në transfertë.
Java e Superiores vijon të mërkurën me tre përballje të tjera interesante. Vora pret Bylisin, Elbasani sfidon Tiranën, ndërsa në Shkodër Vllaznia do të përballet me Flamurtarin, në takime që pritet të ndikojnë ndjeshëm në renditjen e kampionatit.
KOHA JONË SONDAZH

