Disiplina e UEFA-s gati të nisë hetimin për klubet rebele
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës së UEFA-s pritet që të nisë hetimin për Realin, Juventusin dhe Barcelonën, tre skuadrat që mbeten efektivisht pjesë e Superligës së Europës. Gjatë gjithë kësaj jave, pritet që Disiplinori i UEFA-s të njoftojë nisjen e hetimeve, të cilat rrezikojnë të përfundojnë me skualifikimin e tre klubeve rebele.
Gjasat janë që Juventusi, Reali dhe Barcelona të përjashtohen për një ose dy vjet nga arena ndërkombëtare, në eventet e organizuara nga konfederata europiane e futbollit. Në këtë masë të ashpër, UEFA do të kishte mbështetjen e qeverive, falë ndihmës së të cilave neutralizoi tentativën e krijimit të një turneu paralel dhe të pavarur nga organet aktuale drejtuese të futbollit.
Skuadrat rebele kanë vetëm një rrugëdalje: Bashkimin Europian. Nuk përjashtohet edhe skenari i tretë. Ndoshta edhe më i rëndësishëm. Këtu përfshihet Komisioni Europian, të cilit iu kërkua para 5 vjetëve që të shprehet rreth Euroligës së basketbollit.
Brukseli ende nuk ka mbajtur një qëndrim, duke e ditur se krijimi i një eventi të tillë, do të kishte efekt domino në të gjithë sportin europian. Diçka është e sigurt, për të fituar betejën kundër Superligës, UEFA duhet të mbështetet te lobingu i politikës europiane.