Ditë e rëndësishme për futbollin shqiptar: Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City luajnë për historinë në Europë!
Futbolli shqiptar ndodhet sot përballë një sfide vendimtare, me tre përfaqësueset e Superiores, Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo City, që synojnë kalimin në turin e tretë të UEFA Conference League. Këto përballje nuk kanë vetëm rëndësi sportive, por janë jetike edhe për financat e klubeve dhe për imazhin e futbollit tonë në arenën ndërkombëtare.
Në lojë është edhe renditja e Shqipërisë në koeficientët e UEFA-s, e cila rrezikon të zbehet nëse nuk sigurohen rezultate pozitive, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e katër ekipeve shqiptare në edicionin e ardhshëm të kompeticioneve europiane.
Me fitoret e arritura në transfertë, Egnatia dhe Dinamo City e kanë hedhur një hap të madh drejt turit të tretë. Rezultatet pozitive jashtë fushe i vendosin ata në pozita më komode për ndeshjet e kthimit, por stafet teknike kërkojnë përqendrim maksimal për të shmangur surprizat.
Ndërkohë, Vllaznia ka triumfuar në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi” ndaj Vikingur Reykjavik, por misioni i saj bëhet më i vështirë në transfertën islandeze. Shkodranët janë përballë një sfide që kërkon sakrificë dhe karakter për të arritur një sukses historik dhe për të vazhduar ëndrrën europiane.
KOHA JONË SONDAZH

