Dominim bardheblu edhe te moshat, Tirana U-19 fiton Kupën e Shqipërisë

Tirana vijon dominimin në futbollin shqiptar edhe në sektorin e mosha. Ditën e sotme bardheblutë kanë triumfuar në Kupën e Shqipërisë për U-19 në finalen ndaj Shënkollit, e luajtur në “Air Albania Stadium”. Skuadra e trajnerit Devolli ka triumfuar me rezultatin 3-2 duke fituar për herë të parë në histori në Kupën e Shqipërisë për U-19.

Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë pothuajse e barabartë, me një dominim të lehtë nga ana e Shënkollit që ka pasur iniciativën duke tentuar ti afrohet disa herë portës së Tiranës. Përtej dëshirës së madhe të të dy skuadrave për të gjetur golin me rezultatin 0-0 u mbyll pjesa e parë. Fraksioni i dytë i lojës nis me një dominim territorial të skuadrës së Devollit e cila ka epërsi në fushë por pa arritur ti afrohet portës kundërshtare.

Në minutën e 60-të do të vij dhe goli i parë i ndeshjes, me Tiranën që kalon në avantazh nga autogolin e Ukut, që devijon topin në portën e tij pas një skeme të Tiranës nga goditja e dënimit. Tetë minuta më pas do të vij dhe goli i dytë me anë të Elezit. Tirana vazhdon dominim dhe në minutën e 70-të do të fitojnë një penallti që goditet nga Stafa dhe pritet nga Simoni mjeshtërisht. Do të jetë përsëri Simoni që do të mbajë në lojë Shënkollin në minutën e 75-të duke bërë mrekullinë ndaj Elezit.

Shënkollin provon të reagojë dhe gjen golin në minutën e 88-të pas një goditje të jashtëzakonshme nga Marku nga goditja e dënimit. Vetëm një minutë ka zgjatur rezultati 2-1 dhe Tirana shënon golin e tretë, me kapitenin Stafa që ka shlyer në këtë mënyrë edhe gabimin e penalltisë së humbur. Në minutën e 94-të Shënkolli shënon golin e dytë me anë të Sindrit Hoxhës. Mbyllet gjithçka 3-2 për Tiranën.

SHKARKO APP