Douglas Luiz: Kalova vit të vështirë te Juventusi, tani jam më i lumtur
Douglas Luiz ka folur hapur për periudhën e tij te Juventusi dhe për fillimin e aventurës së re në Angli. Mesfushori brazilian, i cili u largua nga bardhezinjtë pas vetëm një sezoni në Torino, ka dhënë një intervistë për Daily Mail gjatë një eventi bamirësie të organizuar nga Nottingham Forest, duke bërë një bilanc të sinqertë të vitit të fundit të karrierës së tij.
“Kam pasur një vit të vështirë te Juventusi, me shumë dëmtime dhe zhgënjime. Tani jam vërtet i lumtur. Jam në një klub të mirë, një klub të madh, me shumë miq dhe jam i lumtur që jam këtu. Si për të mirën e klubit, ashtu edhe për timen, shpresoj të gjej mënyrën për të qenë në formë”, është shprehur Luiz.
Pak fjalë, por të mjaftueshme për të përmbledhur një sezon larg pritshmërive për brazilianin, i cili kishte mbërritur në Torino mes entuziazmit dhe pritjeve të larta, por që nuk arriti kurrë të gjente vazhdimësi, kryesisht për shkak të problemeve fizike.
Gjatë verës, Douglas Luiz u kthye në Premier League duke firmosur me Nottingham Forest. Edhe aty, fillimi i sezonit nuk ka qenë i lehtë: klubi ka ndërruar tre trajnerë në një periudhë të shkurtër kohe, duke krijuar paqëndrueshmëri teknike dhe mendore. Megjithatë, në javët e fundit, Forest duket se ka gjetur ekuilibrin dhe po largohet gradualisht nga zonat e rrezikshme të renditjes.
“Ka pasur shumë ndryshime dhe kjo është e vështirë si nga ana mendore, ashtu edhe nga ajo fizike. Që kur kam ardhur te Forest, kanë qenë tre trajnerë të ndryshëm dhe është e vështirë të gjesh formën, sepse secili ka një mentalitet të ndryshëm”, ka shpjeguar mesfushori.
Ai ka theksuar gjithashtu se ndryshimet e vazhdueshme kanë ndikuar edhe në mënyrën e stërvitjes: “Kur ka një ndryshim, ndryshon plani i lojës dhe stili i stërvitjes. Disa trajnerë preferojnë punë më të lehtë, të tjerë më intensive, dhe kjo ka qenë e vështirë për trupin tim në fillim. Tani duhet të përqendrohem shumë te forma. Kam ndryshuar mënyrën se si mendoj për rikuperimin”.
KOHA JONË SONDAZH

