Douglas Luiz mund të ndryshojë skuadër, por do të mbetet në Premier League
E ardhmja e Douglas Luiz mund të marrë një kthesë të re. Sipas The Athletic, mesfushori brazilian në pronësi të Juventusit ka përfunduar në radarët e Chelsea-t, që po kërkon përforcime në repartin e mesfushës.
Luiz ndodhet aktualisht në huazim te Nottingham Forest, por aventura e tij në Premier League nuk ka rezultuar bindëse. Braziliani nuk ka arritur ende të aktivizojë klauzolën e blerjes së detyrueshme, e cila parashikon 15 ndeshje, duke lënë të hapur derën për një ndryshim të mundshëm skenari.
Interesimi i Chelsea-t lidhet drejtpërdrejt me dëshirën e trajnerit të ri të bluve, Liam Rosenior, i cili e sheh Douglas Luiz si profilin e duhur për të forcuar mesfushën. Formula e mundshme e operacionit parashikon një huazim deri në muajin qershor.
Megjithatë, për realizimin e marrëveshjes do të nevojitet dakordësia e të gjitha palëve, përfshirë edhe ndërprerjen e parakohshme të huazimit aktual te Nottingham Forest. Juventus, nga ana e tij, po ndjek me vëmendje situatën, teksa vlerëson opsionet më të favorshme për të ardhmen e lojtarit.
KOHA JONË SONDAZH

