Duka: Fino ishte avantazh për mua në zgjedhje, disa kritika ishin reale!
Armand Duka, presidenti i saporizgjedhur i FSHF-së, në mandatin e tij të pestë, ishte sonte i ftuar në emisionin e gazetarit Sokol Balla, në Vizion Plus, “Real Story”, teksa për 40 minuta ka rrëfyer gjithçka në lidhje me fitoren në Asamble, rivalin Fino, politizimin e zgjedhjeve, kandidatët, problematikat e futbollit shqiptar, zgjidhja e tyre, Ligën por edhe kombëtaren dhe ambiciet…
Mesazhi për rivalin tuaj që humbi, pra zoti Fino?
Besoj se dhe Bashkimi ka fituar diçka nga kjo garë, ka mësuar më shumë nga bota sportive, për hallet e futbollit, që mund ta ndihmojnë nga karrigia që të ngrihet.
Fino do ta çojë në gjykatë, këtu dhe Zvicër, CAS… Si përgjigjeni?
Do të preferoja që Bashkim Fino të mos sillte sëmundjet e politikës në futboll, por të merrte të mirat e futbollit ti çonte atje. Solli gjyqet, gjykatat por duhet të pranonte rezultatin. Në sallë e bëri, përpara medieve ndryshoi mendje.
Pse kishte masa sigurie në Durrës? Të tepruara…
Prag Asambleja nuk ishte e qetë, e natyrshme, sportive. Klimë e acaruar dhe shumë faktorë që mund të ndikonin në garë. Detyroi të gjithë institucionet të ishin të kujdesshme. Duke nisur nga FSHF dhe institucionet ndërkombëtare, si zëvendës presidenti i UEFA-s, që kërkoi siguri për delegatët dhe të ftuarit. Kjo siguri u ofrua nga forcat e policisë.
Elementë kriminalë…
Ka pasur të fortë të përfshirë në këtë garë, që tentuan të ushtronin influencën e tyre për të kushtëzuar garën, por kjo bëri që qeveria të merrte masa të rëndësishme sigurie. U zhvillua normalisht Asambleja dhe jam i gëzuar.
A pati ndërhyrje nga qeveria në këtë garë, ku merrte pjesë një deputet i mazhorancës?
Gara përfundoi, rezultati doli, zgjedhjet mbaruan. Më pëlqen të flas se çfarë duhet të bëjmë për futbollin dhe jo të kthehemi mbas. Që ka pasur ndërhyrje apo angazhim nga aparati shtetëror, kjo është e vërtetë.
Pse u zgjodh Durrësi si seli e Asamblesë, pasi nëse do të ishte Fino kandidati kryesor dhe sfidanti ju, do të zhvillohej në Gjirokastër…
Unë preferoja edhe Tiranën, por duke qenë se delegatët vijnë nga rrethet dhe është disi më qetë në Durrës, mendova aty. Por, jo domosdoshmërish duhej aty. Nuk ndikon, sepse s’është fusha e futbollit
Fusha juaj, aty ku si biznes, politik, media dhe kudo, në Shijak, Jeruzalemi i familjes Duka, u votuat kundër. Si ka mundësi?
Nuk ka asnjë shijaks që më mbështet mua, ai qytet e ka traditë. Politika kalon mbi ndjenjat, dëshirat dhe vullnetin. Kryetari i Bashkisë ka qenë i detyrua publikisht. Ma ka shprehur që duhet ta mirëkuptoja. Unë me bizneset e mia dhe vëllain tim, kemi sponsorizuar te ekipi i volejbollit, në 3 vjet, duke e çuar në Europë. Kemi sponsorizuar ekipin e futbollit të Erzenit. Vetëm për kontributin në sport, unë jam sekretar nderi në Shijak. Ai që është e njeh shumë pak historinë
Humbja e Finos ishte politike dhe ka pasur koston e saj, në imazh dhe rezultat, në shifra. A ishte edhe fitorja juaj politike?
Nuk e kam parë dhe nuk kam asnjë ambicie politike. E pashë si garë sportive, alternativash për të drejtuar institucion që nuk mund ta mohoj që e dashuroj këtë lojë. U politizua, sepse Bashkimi përveç se ishte eksponent partie, mund të kishte hyrë ndryshe dhe i zhveshur. Edhe pse, kishte backround politik, nuk ja mohonte të drejtën. Por, fakti që nuk u zhvesh politikisht, i dha nuanca të tilla garës. Njerëzit nga jashtë e panë kështu. Nga dita e parë thashë që dua të jetë garë sportive, por realiteti ishte ndryshe.
Ju akuzuat kundërshtarin me të drejtë, sepse kishte mandatin e qeverisë, që ndikon dhe kontrollon edhe votat e këshilleve bashkiake. Por, si ka mundësi që edhe ju, ju dolën “pro” partitë kryesore të opozitës?
Politizimi i situatës bën që të pozicionohem në kundërshtar. Armiku i armikut tim është miku im. Disa nga kryetarët e Bashkisë demokratike apo socialiste, nëse s’do të ishte politizuar, nuk do të ishin në Asamble. Juridikisht, klubet nuk drejtohen nga Bashkitë në subjekte, por pesha dhe pushteti që kanë klubet, kryetarët e Bashkive kanë autoritet të urdhërojnë. Janë të mandatar. U rreshtuan edhe kryetarët e Bashkive demokratike… Nuk është e thënë që kryetarët ishin të organizuar për ne, thjesht ishte luftë mes tyre. U kthye në betejë politike. Por,fitoi futbolli dhe sporti. Nëse shohim numrat politikë të përfaqësuesve të partive në mazhorancës dhe opozitës, janë më pak se përfaqësuesit politikë.
Edhe media u nda. Ditën e votimit një media tha se ju hytë te klubi i Elbasanit për një transaksion privat me 120 mijë euro… A nuk është indice që keni blerë votën e tij?
Absolutisht jo. Disa media hodhën shumë baltë, që nuk do t’ia fal. Ky është avantazh për mua, të paktën nga ajo që bëri Fino. Pati kritika ndaj meje, por është e lehtë të ndodhë, sepse kam 16 vjet. Por, kur mediat e kritikuan ndërhyrjen e politikës, ishte avantazh që ma dha Fino dhe jo se e mora unë.
Çfarë do të thotë shoqatë rajonale e Asamblesë me të drejtë vote, ndërsa çdo rajon kishin klubet?
Jo i gjithë futbolli përfaqësohet nga futbolli profesionist. Shumica nga shoqatat rajonale, që menaxhojnë futbollin e të rinjve dhe fëmijëve. 70% të profesionistëve paraqiten nga këto shoqata: nga mosha 7 deri në 16-vjeç, që nuk marrin pjesë në kampionatet kombëtare. Sepse aty marrin pjesë vetëm ekipet kryesore. Shumica në kampionatet rajonale. Futbolli amator përfaqësohet nëpërmjet shoqatave, pra që kanë 70% të pjesës specifike. Ka pasur shumë diskutime për shoqatat, apo formën e organizimit të klubeve. E kam thënë që ky ishte proces i filluar dhe jo i lehtë. Nuk pretendoj se gjithçka është në nivel maksimal. Tani duhet që shoqatat të jenë të pavarura nga të gjitha çështjet administrave të FSHF apo të kontribuojnë.
UEFA tha, politika t’i rrijë larg sportit. U duk si mbështetje individuale ndaj jush
Jo, mbështetje e parimeve që ka UEFA. Ajo përfaqëson parimet e rregullave dhe statuteve të organizatës. Parimi është që duhet të jenë të paanshëm. Në këtë rast ishte realitet një ndërhyrje politike për të deformuar realitetin sportiv. Ndërhyrje e gjithë makinës shtetërore, apo faktorëve që ndonjëherë bëhen vendimtare. Përpara ndërhyrjes politike, UEFA duhet të mbronte futbollin.
Do të ndërmerrni aksion legal?
Jo, nuk i preferoj, le t’i bëjnë të tjerët. Jemi për diskutim sportiv. Janë të tjerë ata që duhet të ndërhyjnë që të mos përfshihet politika në këto gara apo edhe duke ndikuar te të fortit.
Keni pasur telefonata nga UEFA dhe FIFA?
Sapo mbaroi votimi, më telefonoi presidenti i UEFA-s dhe i FIFA-s, apo edhe homologë dhe kolegë në Europë. Edhe politika, të majtë dhe të djathtë.
Në 16 vjet janë bërë trajnerë me licencë, ndërsa në vitin 2002 zero
FSHF nuk kishte të drejtë të jepte licenca, por me lektorët e UEFA-s e fituam në vitin 2004. E nisëm me nivelin e licencës “C”, me dëftesën e shkollës fillore dhe sot jemi te Liçenca “Pro”, pra diploma e një universiteti. Kjo është ndihmë për zhvillimin e futbollit në vend. Kemi akoma shumë për të bërë. Gjëja kryesore që duhet dhe që ka nevojë futbolli është sistemi i edukimit, jo vetëm nëpërmjet shkollës që ka federata, por ndikimit dhe marrëveshjes që FSHF duhet të bëjë me Ministrinë e Arsimit, Universitetet dhe Institucionit të Edukimeve, për të përgatitur edukatorë dhe mësues, jo vetëm trajnerë. Sot ekipet e futbollit drejtohen nga stafe që kurojnë shumë lojtarët. Nuk është koncepti si më parë.
“Arena Kombëtare” mbaron në fund të 2018, ndërsa firma thotë në 2019. E vërteta?
Nuk jam politikan që të bëj premtime, nuk jam as ndërtues. Kontrata thotë duhet të përfundojë në fund të vitit dhe thuhet se në mars duhet të luhet ndeshje
Administratori i firmës, kandidat në Komitet Ekzekutiv. Nuk tingëllon si konflikt interesi?
Jo, çdo njeri ka të drejtë. Ishin 23 kandidatë, mes tyre edhe zoti Spahiu. Aq më shumë se stadiumi është kompani në vete.
Takaj duartrokiti i pari, megjithatë. Mes jush dihet raporti…
Ai e ka të vështirë të nxjerrë duart nga xhepat, edhe kur flitet për fitoret e ekipit të tij… Nuk e besoj…
Titulli i hequr?
Vazhdon procesi i gjykimit, është zhvilluar seanca dëgjimore në CAS dhe nuk ka vendim.
Konfliktet e interesit: dy “pay per view”, por Superiorja shihet vetëm te njëra. Konflikt interesi dhe si mund të shmanget?
Ajo që bëjmë ne është më e mira për të ardhurat e FSHF-së, në bazë rregullave financiare dhe procedurave. Për momentin sot është një paketë tjetër, nesër mund të jetë një tjetër. Rëndësi ka që të ofrojë të ardhura dhe të plotësojë ato kritere të pasqyrimit real në kohë reale. Pse jo, mund të jetë çdo lloj platforme.
Baste, dënime dhunë, jo shumë tifozë, sezon i dobët në Superiore, por rezultate të mira me kombëtaren, sa i përket importeve. Keni firmën dhe vulën tuaj, në këto 16 vjeç. Çfarë pritet të ndryshojë?
Nuk ndryshon me një të rënë lapsi apo deklaratë gjithçka. Çdo ditë duhet një milimetër përpara për të shkuar drejt suksesit dhe zhvillimit. Ajo që kemi arritur deri tani janë shumë. Kanë qenë të vështira dhe është bërë shumë punë. Aq më shumë punë bëhet, aq më shumë gabime ka. Nëse nuk bën asgjë, nuk ke asgjë për të korrigjuar, sepse ke bërë pak. Duhet të minimizojmë gjithçka që cenon lojën. Nuk e bëjmë dot zero asnjë fenomen negativ. Ta minimizojmë po.
Premtimet që keni bërë, Liga Profesioniste. Si mund të bëhet Ligë Profesioniste kur shumica e klubeve janë nën Bashkitë dhe shumica e futbollistëve janë amatorë?
Liga Profesioniste apo Kategorisë është përfaqësimi i elitës dhe futbollit profesionist. Qëllimi është që të përfaqësojë dhe mbrojë interesat e një grupi eltar që ta mbrojë. Synimi është të rritet niveli i sistemit të futbollit. Do të synoj ta realizojmë dhe të arrijmë në finalizimin e kësaj lige. Jam i bindur se do të përmirësojë atë produkt që sheh publiku. Por, nuk mohon të drejtën që në kategoritë e tjera të krijohen liga të tjera…
Talentet shqiptare, luajnë në Akademi të huaja se sa nën vëmendjen e federatës. Kur sheh kombëtaren ia lëmë aftësive manaxheriale se sa futbollistike. Nuk ka produkte.
Çdo vit shohim produkte nga klubet shqiptare, që luajnë me moshat dhe ekipin A. Europa Perëndimore, më lart se ajo Lindore.
Por, traditë kemi pasur, sidomos para viteve ’90?
Sigurisht, por pas viteve ’90 grafiku ishte në rënie. Në fillim të viteve 2000 thuajse nuk ekzistonin ekipet zinxhir apo akademitë, sot janë të organizuar dhe kanë ekipet zinxhir dhe akademitë. Ka edhe shumë akademi të tjera që nuk kanë ekip në Kategorinë e Parë, por kanë fëmijësh dhe kualitet të pëlqyeshëm. Duhet të ketë më shumë, por është mënyra se si ne e edukojmë në sistem trajnimi. Duhet rritur steka vit pas viti dhe zvogëlohen filtrat, që të ketë cilësi dhe kualitet. Kjo do të arrihet me sistem licencimi dhe jo vetëm kaq. Të gjithë shqiptarët duan t’i bëjnë fëmijët futbollistë. Por, jo të gjithë mund të paguajnë. Ne duhet të bëjmë që ato talente që nuk mund të paguajnë, të kenë mundësi.
Vendimet e rëndësishme nuk janë populiste. Si do të fitoni zemrat e shumicës jashtë Asamblesë?
Ka shumë pakënaqësi të momentit apo për garën. Jo çdo gjë që u diskutua përpara zgjedhjeve, që ishte periudhë e ngjeshur me diskutime, pra tema e FSHF-së u bë më e fortë se kurrë dhe dolën kritika dhe tema të ndryshme. Disa ishin reale…
Cilat ishin këto kritika reale, nga rivali
Jo, sepse ai hodhi vetëm baltë. Por, njerëz të fushës pati kritika që ne duhet t’i rregullojmë në të ardhmen që publiku të mos thotë që kemi bërë gjërat ashtu si s’duhen dhe mos duket si konspiracion i madh. Ne duhet të merremi me problematikat, infrastrukturat, menaxhimin e strukturës dhe kështu me radhë.
Në 2020, Europiani, në 2022 mbaron mandati i pestë. Do të jetë përmbyllës
Ishalla do të jemi ende gjallë edhe katër vjet… (qesh). Realisht është dita ime e parë pas zgjedhjes dhe ka shumë gjëra për të bërë. Kemi bërë gabime dhe duhet të bëjmë akoma më të mirën. Ajo çfarë kemi arritur janë rezultatet e ekipit kombëtar që jo vetëm ka ndikuar në jetën e futbollit, por të shqiptarëve, duke i bashkuar dhe duke i ndihmuar për dashurinë ndaj flamurit. Franca ishte shembulli i këtyre vlerave. Ajo që kemi për zemër janë rezultatet e ekipit kombëtar. Tani stekën e kemi vënë lart dhe çdo ulje do të ishte e sulmueshme dhe kritikueshme.
KOHA JONË SONDAZH



