Duka flet pas shortit: Polonia ekip i fortë, por do të luajmë shanset tona në Varshavë
Shorti i Play Off-it të Botërorit ka vendosur Shqipërinë përballë Polonisë, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë reagimin e tij të parë menjëherë pas ceremonisë.
Duka u shfaq i buzëqeshur, duke pranuar se kishte shmangur çiftin që nuk e preferonte: “Italia–Uellsi nuk më pëlqente aspak. Jam i kënaqur që na u shmangën dhe prandaj qesha,” u shpreh ai.
Megjithatë, kreu i FSHF-së nënvizoi se në këtë fazë nuk ka kundërshtarë të lehtë: “Të gjitha skuadrat janë të forta. Polonia është rival i vështirë, por ne do të provojmë mundësitë tona. Jemi të lumtur që jemi në Play Off dhe falënderoj futbollistët dhe stafin për këtë arritje. Ndeshja do të luhet në Varshavë, në mars.”
Sa i përket diskutimeve për një short të favorshëm, Duka theksoi se gjithçka vendoset në fushë: “Ndeshjet nuk fitohen dhe nuk humben në short. Edhe tek kualifikueset ishim të pakënaqur fillimisht, por dolëm të dytët. Shpresoj të kemi lojtarët në formë dhe pa dëmtime.”
Presidenti i FSHF pranoi se Sllovakia i dukej si kundërshtari më i përshtatshëm, edhe pse brenda grupit të tij kishte mendime të ndryshme: “Mua më dukej më e arritshme Sllovakia, ndërsa disa të tjerë preferonin Uellsin.”
Ai komentoi edhe shanset e Kosovës në rrugën drejt Botërorit: “Kosova është një skuadër e mirë dhe në moment të mirë. Ka mundësi të kalojë Sllovakinë dhe më pas të sfidojë Turqinë ose Rumaninë. Mund të arrijë deri në finale dhe të sigurojë pjesëmarrjen në Botëror.”

KOHA JONË SONDAZH

