Duka mesazh në Ditën Botërore të Gazetarëve të Sportit: Mirënjohje për punën e palodhur për të mirën e futbollit

Me rastin e 2 korrikut, Ditës Botërore të Gazetarëve të Sportit, Presidenti i FSHF-së Armand Duka, ka një mesazh urimi për të gjithë ata që punojnë në këtë profesion fisnik e që përcjellin çdo ditë informacionet për të gjithë sportdashësit.

Në mesazhin e publikuar në profilet e tij në rrjetet sociale, Presidenti Duka ka falënderuar të gjithë gazetarët dhe stafet e tyre të cilët punojnë pa u lodhur, shpeshherë në kushte të vështira, për të mirën e futbollit shqiptar.

“Dita Botërore e Gazetarëve të Sportit është momenti ideal për të falënderuar të gjithë profesionistët e medias, tek të cilët gërshetohen ambicia për të vërtetën dhe pasioni për sportin.

Falënderoj të gjithë gazetarët dhe stafet e tyre mbështetëse të cilët punojnë pa u lodhur, shpeshherë në kushte të vështira, për të mirën e futbollit shqiptar: Me angazhimin dhe përkushtimin tuaj na ndihmoni përditë në punën tonë.

Kur kritikat janë të sinqerta dhe të vërteta, FSHF i trajton me seriozitet dhe mirënjohje. Suksesi i futbollit shqiptar është rezultat i punës së përbashkët dhe gazetaria sportive ka një kontribut të paçmuar.

Në këtë ditë Botërore të Gazetarëve Sportivë, ju jam mirënjohës të gjithëve, dashamirësve dhe kritikëve. Ju inkurajoj të paraqisni me punë dhe përkushtim sukseset e futbollit shqiptar. Në FSHF do ta gjeni gjithnjë derën e hapur!”, shkruan Presidenti Duka në mesazhin e tij.

SHKARKO APP