Duka pas kualifikimit në Play Off: Rruga nuk është e lehtë, por kam besim se Shqipëria do të shkojë në Botëror
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka reaguar pas kualifikimit historik të Shqipërisë në Play Off-in e Botërorit 2026, duke folur për Tv Klan menjëherë pas fitores 0-1 ndaj Andorrës. Duka theksoi se rruga drejt objektivit madhor mbetet e vështirë, por shprehu plot besim në potencialin e skuadrës kuqezi.
Sipas kreut të FSHF-së, ndeshja ndaj Andorrës ishte më e komplikuar sesa pritej, duke shtuar se presioni ishte i ndjeshëm te lojtarët. Ai u shpreh se goli i Kristian Asllanit në pjesën e dytë çliroi emocione të mëdha te të gjithë shqiptarët.
“Fituam një ndeshje të rëndësishme dhe të vështirë. Në vendin e dytë shkuam nëpërmjet këtij tre pikëshi. Çunat kishin presion. Goli i Kristit qetësoi gjithë shqiptarët. Do kemi ndeshje të vështira në mars, por kam besim te kualifikimi në Botëror, sepse ne kemi një ekip tepër të mirë.”
I pyetur për çështjen e premimeve të posaçme për golashënuesit, Duka sqaroi se brenda grupit prioritare mbetet barazia, duke theksuar se vetë lojtarët nuk mbështesin ndarjen e shpërblimeve individuale:
“Lojtarët duan që gjithmonë të jenë të barabartë dhe jo që të ketë premio ai që shënon. Besoj se futbollistët e mendojnë më mirë se ne.”
KOHA JONË SONDAZH

