Duka: Reja do të rinovojë me Shqipërinë, stadiumi gati për Francën

Presidenti i Federatës Armando Duka e ka vendosur se kush do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë edhe përtej nëntorit, kohë kur skadon kontrata e Edy Reja-s: “Reja do të jetë trajneri i ardhshëm i Shqipërisë, por se kur do ta bëjmë kontratën këtë s’e them. Duhet ta diskutoj me të.”

Ndërkohë në lidhje me stadiumin “Arena Kombëtare”, Duka u shpreh se pavarësisht se ende vijojnë punimet do jetë gati më 17 nëntor.

“Nga Kukësi të thuash që do të jetë gati Arena më pëlqen. Do të jetë gati sepse atje ishim dhe pas një vizite kuptuam se ka shumë punë për t’u bërë, por sigurisht që do të inaugurohet me Francën. Tashmë kemi ndarë edhe ftesat e kur ndajmë ftesat në shqiptarët e bëjmë dasmën me patjetër.”

Këto fjalë presidenti i federatës i tha gjatë një vizite në Kukës ku inspektoi punimet e stadiumit të ri që ka nisur ndërtimin në fillim të muajit gusht.

“Në fakt është një ngjarje shumë e pazakontë që të vish në Kukës për ndërtimin e një stadiumi të ri. Shumëkush është kritik se thonë ç’doni në Kukës për një stadium të ri. Në fakt Kukësi me gjithë kontributin që ka bërë në 6-7 vitet e fundit, por edhe me dashurinë që ka populli e meritontë një stadium të tillë.”

SHKARKO APP