Dy skuadra nga La Liga në luftë për Keidi Baren, Malaga kërkon 2 milionë euro

Keidi Baren shumë shpejt mund ta shohim sërish në La Liga. Mesfushori që aktivizohet te skuadra e Malagas në Segunda Division, kohë te fundit ka marrë disa oferta shumë interesante që mund ta bindin që të ndryshojë skuadër që në merkaton e janarit. Gazeta e njohur “Marca” raporton se Getafe është në “pole” për të siguruar shërbimet e lojtarit të kombëtares shqiptare, por ata nuk janë të vetmit që e dëshirojnë, teksa në garë janë edhe dy skuadra të tjera si Leganes dhe Rayo Vallecan.

Këta dy të fundit i kanë bërë propozimet e para duke ofruar rreth gjysmë milionë euro për futbollistin, por që është refuzuar menjëherë nga Malaga. Ata do të tentojnë me një tjetër propozim, po Getafe është gati që të jap edhe një çek prej 2 milionë eurosh, për ta pasur në skuadrën e tyre një prej mesfushorëve më të spikatur në kategorinë e dytë në Spanjë. Propozimi i tyre është edhe më i pranueshëm, pasi ata do ta lejojnë që të qëndrojë te Malaga në formë huazimi deri në qershor.

Në orët e fundit Leganes ndërkohë ka bërë gati një ofertë, por që deri më tani nuk është zbuluar nga mediat iberike. Këtë sezon Keidi Bare është aktivizuar në 18 ndeshje te skuadra e Malaga-s duke qenë një ndër pikat e referimit në mesfushë. Fakti që ka luajtur më parë te skuadra e Atletico Madrid dhe është stërvitur nga një trajner si Simeone do ta ndihmojë që të ngjisë sërish hapat në karrierën e tij. Edhe pse ai e ka pranuar se nuk kërkon të bëjë hapa të mëdha shumë shpejt për të mos rrezikuar, Granada dhe Levante mund të jenë një shans që duhet shfrytëzuar, pasi nuk mund ta mendojë të ardhmen në një ligë inferiore. Ai mund të zgjedhë që të qëndrojë deri në qershor për ta menduar më mirë destinacionin e ardhshëm. /Rozalb Lika-Koha Jone/

SHKARKO APP