ZYRTARE/ Dyshimet për trukim, FSHF nis hetimet për ndeshjen Bylis-Tirana
Federata Shqiptare e Futbollit nëpërmjet komisionit të Etikes ka filluar grumbullimin e fakteve dhe të dhënave për ndeshjen e parë gjysmëfinale te Kupës së Shqipërisë mes Bylisit dhe Tiranës e zhvilluar në stadiumin e Ballshit “Adush Muça” dhe që përfundoi me shifrat 2-1.
Një ndeshje me episode të dyshimta për të cilat foli pas saj edhe vetë presidenti i skuadrës ‘bardheblu’ Refik Halili. Nga dje dhe deri sot janë grumbulluar pamjet filmike dhe deklaratat e protagonisteve pas ndeshjes, për fillimin e një hetimi ndaj këtij takimi të shumëpërfolur.
Gjithçka i mbetet organeve të drejtësisë sportive të FSHF-s për momentin për të qartësuar sjellje dhe reagime të dyshimta të atij takimi ku vendasit fituan më përmbysje. Nuk përjashtohet mundësia që hetimet të shkojnë deri në Prokurori.
Njoftimi për shtyp
Federata Shqiptare e Futbollit njofton median dhe opinionin sportiv, se menjëherë pas përfundimit të ndeshjes Bylis – Tirana (2-1), e vlefshme për gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë, ka kërkuar informacion nga kompania “Sport Radar” nëpërmjet UEFA-s, për të mësuar nëse ka pasur baste të dyshimta për këtë takim.
Federata bën me dije se, ka nisur hetimin për këtë çështje dhe po grumbullon materialet e nevojshme dhe do te ketë vendimarrje, në rast se do të ketë prova.
Gjithashtu, FSHF prej kohësh e ka bërë të qartë qëndrimin e saj të prerë kundër këtij fenomeni tejet të dëmshëm për futbollin dhe paralajmëron edhe një herë klubet se do të përballen me masa të rrepta dhe sanksione ekstreme, deri në përjashtim nga aktiviteti, në rastet kur akuzat për trukim do të provohen.