E bleu 30 mln euro në janar, Reali huazon talentin 18-vjeçar te Dortmundi

Reali i Madrid shpenzoi rreth 30 milionë euro për të blerë nga Flamengo talentin brazilian Reinier Jesus Carvalho dhe pasi e mbajti për 6 muaj ne skuadrën B, vendosi ta huazojë për dy sezone në kampionatin gjerman.

Los Blancos njoftuan sot se arritën marrëveshjen me Borussian e Dortmundit për të huazuar për dy sezone mesfushorin 18-vjeçar, i cili shihet si një nga talentet më premtues të futbollit brazilian.

Vetë futbollisti do të ketë një mundësi të artë për të qenë pjesë e një klubi si verdhezinjtë gjermanë, që shquhen tashmë për punën fantastike që bëjnë me elementët e rinj dhe për këtë mjafton të shohim emrat që kanë dalë nga kjo skuadër vitet e fundit.

Marrëveshja parashikon një huazim të thjeshtë, me Borussian e Dortmundit që do të duhet të negociojë sërish me Realin, nëse do të dojë të blejë mesfushorin të të ardhmen, pak a shumë siç u veprua me marokenin Achraf Hakimi.

SHKARKO APP